
ITALI- "Gjaku shpaguhet me gjak,"-këto janë disa nga kërcënimet që i janë dërguar 60-vjeçarit Aurelio Valiante, biznesmenit nga Centola që qëlloi hajdutët në shtëpinë e tij, duke vrarë shqiptarin Rivaldo Rusi dhe plagosi Xhulijan Kurtin. Grabitësi i tretë që u fut në banesën e tij shpëtoi paq, por nuk është gjetur sot e kësaj dite. Kërcënimet u postuan në TikTok nga përdoruesit shqiptarë. Sipas mediave italiane, mesazhet janë plot urrejtje dhe etje për hakmarrje.
Mesazhet janë pasojë e asaj që ndodhi në terren. Pak ditë më parë, rreth 30 shqiptarë, disa familjarë të viktimës, shkuan në shtëpinë e tij për të marrë hak. Për këtë arsye, burri dhe familja e tij janë transferuar në një vend të mbrojtur për të shmangur vetëgjyqësinë. Por ndërkohë të reja ka edhe nga hetimet. Autopsia e sotme, e urdhëruar nga Prokuroria e Vallo della Lucania, u krye nga mjeku ligjor Francesco Lombardo. Rezultatet, pasi të dorëzohen, do të shërbejnë për të sqaruar më mirë dinamikën e incidentit dhe për të hedhur dritë mbi goditjet që rezultuan fatale për Rusin. Vendimtare do të jenë pozicionet e të shtënave, pasi nëse plumbat janë marrë në pjesën para të trupit, italiani mund të mbrohet se ka vepruar për vetëmbrojtje.
Tashmë që autopsia ka përfunduar, kufoma e të ndjerit i ka kaluar familjarëve.
Ndërkohë, hetimi i hapur nga Zyra e Prokurorit Publik të Vallo della Lucania vazhdon me zhvillime të reja. Tre persona janë nën hetim: Aurelio Valiante, 58 vjeç, i cili dyshohet se qëlloi; vëllai i tij Marco Valiante, 50 vjeç, i akuzuar se e ka ndihmuar të fshehë trupin në një fuçi vere që më pas është braktisur në fshat; dhe Xhuliajn Kurtit, 27 vjeç, shqiptar banues në Acerra, një nga bashkëpunëtorët e Rusit, aktualisht i shtruar në gjendje të rëndë në spitalin Cardarelli në Napoli./ZËRI