BULQIZË- Prej më shumë se 35 orësh aktive, vatra e zjarrit në Vajkal të Bulqizës ka dalë jashtë kontrollit, duke rrezikuar banesat e këtij fshati. Terreni i vështirë malor që e ka bërë të pamundur ndërhyjen e mjeteve zjarrfikëse, era e fortë dhe temperaturat e larta kanë bërë që zjarri të përhapet me shpejtësi.
Sipas informacioneve paraprake, punonjës të Bashkisë Bulqizë, Emergjencat Civile, Policia dhe shërbimet pyjore po luftojnë për shuarjen e flakëve.
View this post on Instagram
Ndërsa Policia ka njoftuar se është identifikuar personi që ndezi zjarrin qëllimisht. Sipas njoftimit, 49-vjeçari do të ndiqet në gjendje të lirë, pasi vuan nga nga problemet e shëndetit vendor. Blutë bëjnë me dije personi i dyshuar është shtetasi A. M., 49 vjeç, ndaj të cilit ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë pasi vuan nga problemet e shëndetit vendor.
NJOFTIMI I POLICISË:
Bulqizë/Identifikohet autori i dyshuar i zjarrvënies në malin e fshatit Vajkal, nis procedimi penal ndaj tij.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, pas njoftimit se në malin e fshatit Vajkal, Njësia Administrative Fushë-Bulqizë, kishte rënë zjarr, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, në mbështetje të forcave zjarrfikëse, si dhe për kryerjen e veprimeve hetimore për përcaktimin e rrethanave dhe zbardhjen e autorësisë së zjarrvënies.
Nga veprimet hetimore të kryera, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasin A. M., 49 vjeç, banues në fshatin Vajkal, ndaj të cilit u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal në gjendje të lirë, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor. 49-vjeçari, u dërgua në Spitalin Psikiatrik Shkodër për trajtim të specializuar.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër apelon për të gjithë qytetarët të mos ndezin zjarre për djegien e mbetjeve, barishteve apo për qëllime të tjera, pasi përhapja e flakëve mund të sjellë pasoja të rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Gjithashtu, fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm./ZËRI