TIRANË-GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën 'arrest me burg' ndaj Ergys Agasit të arrestuar më 26 gusht pas 8 muajsh në arrati. Vetë biznesmeni ishte i pranishëm në gjykatë. Seanca e cila nisi në orën 09:00, u ndërpre dy herë. Pak pas fillimit të seancës avokati i Agasit, Maks Haxhia kërkoi kohë për t'u njohur me dosjen hetimore dhe trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës.
Por edhe pas rinisjes në orën 12:00 seanca u ndërpre sërish. Shkak u bë fjala e gjatë e avokatit Maks Haxhia, paraqiti para trupit gjykues argumentet e mbrojtjes së Agasit. Ndërkohë prokurori i posaçëm Bledar Maksuti ka kërkuar që masa “arrest në burg” të mbetet në fuqi, duke arsyetuar se ekziston rrezik i lartë që i dyshuari t’i fshihet drejtësisë, nisur nga fakti se ka qëndruar në arrati për tetë muaj me radhë. SPAK ka paraqitur edhe një akuzë të re ndaj Agasit atë të korrupsionit pasiv.
Ogani i akuzës ka deklaruar se disponon prova që mbështesin akuzat ndaj biznesmenit për pastrim parash dhe ndikim në tendera. Nga ana tjetër, avokati i Agasit, Maks Haxhia, ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë, duke argumentuar se nuk ka prova konkrete që e lidhin klientin e tij me veprat penale për të cilat akuzohet.
Pas përfundimit të diskutimeve GJKKO nuk ka shpallur vendimin, por është tërhequr në dhomën e këshillimit. Vendimi për masën e sigurisë ndaj Ergys Agasit pritet të merret në vijim.
Agasi u arrestua së bashku me ish-zyrtarin e Policisë, Uljan Shpataraku në zonën e Plepave në Durrës. Seanca për Shpatarakun do të zhvillohet ditën e nesërme.
Biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.
ZËRI raportoi mbrëmjen e 26 gushtit se Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit, ndërsa arrestimi i tij u finalizua në zonën e Plepave në Durrës./ZËRI
