DURRËS-Policia e Durrësit ka njoftuar se ekspertët xhenierë të repartit RENEA kanë çaktivizuar me sukses një sasi lënde plasëse të lidhur me një aparat celular, e cila u gjet e braktisur në rrugë në lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Objekti dyshues u konstatua mëngjesin e sotëm rreth orës 09:00, konkretisht një aparat celular me një masë të lidhur me të, e cila ngriti ngriti alarmin për lëndë shpërthyese.
Pas mbërritjes në vendngjarje, Policia vendosi perimetrin e sigurisë, ndërsa specialistët xhenierë të RENEA-s ndërhynë për neutralizimin e objektin. Rreziku i mundshëm është parandaluar, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të njoftimit të dhënë më herët, për gjetjen e një aparati celular të lidhur me një objekt të dyshimtë në rrugë, në lagjen nr. 3, Durrës, ju bëjmë me dije se, pas mbërritjes në vendngjarje, shërbimet e Policisë kanë marrë masat e nevojshme për sigurimin e perimetrit dhe garantimin e sigurisë së qytetarëve.
Specialistët xhenierë të RENEAS kanë kryer veprimet e nevojshme dhe kanë bërë të mundur çaktivizimin e lëndës plasëse, në sasi të vogël, që ishte lidhur me aparatin celular, duke eliminuar çdo rrezik të mundshëm.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
