Aktualitet

Bie akuza e pengmarrjes/ Haxhia për Agasin: Klienti im provoi se nuk ka marrë pjesë në tendera, s’ka patur përfitim financiar

Ndërsa sipas Haxhisë, trupa gjykuese tashmë ka një edhe një akuzë tjetër ndaj Agasit, atë të korrupsionit pasiv.

l.k
Bie akuza e pengmarrjes/ Haxhia për Agasin: Klienti im provoi se nuk ka
Maks Haxhia

TIRANË- Avokati Maks Haxhia, ka mbajtur një prononcim për mediat lidhur me detajet e seancës së sotme në GJKKO për masën e sigurisë ndaj Ergys Agasit.

Ai tha se një prej akuzave të ngritura ndaj klientit të tij, ajo për heqjen e paligjshme të lirisë, është rrëzuar pas analizimit të provave. Ndërsa sipas Haxhisë, trupa gjykuese tashmë ka një edhe një akuzë tjetër ndaj Agasit, atë të korrupsionit pasiv.

Në deklaratën për mediat, avokati bëri me dije se biznesmeni Ergys Agasi ka dhënë shpjegimet e tij para gjykatës dhe ka mohuar përfshirjen në tendera, përfitime financiare dhe se nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme.

“Problemi është që akuza e heqjes së paligjshme të lirisë, e adresuar nga akuza ndaj Agasit, përfundimisht, me analizën që iu bë provave dhe vendimeve të organeve të prokurorisë, tregoi dhe çoi në çlirimin e kësaj akuze ndaj Ergys Agasit. Organi i akuzës sot erdhi me një akuzë tjetër, atë të “korrupsionit”, pra sot u vendos akuza ndaj Agasit për korrupsion pasiv.

Që për ne do të thotë që pasiguria e materialit të paraqitur deri tani e ka ndjekur akuzën për të qëndruar në pozitat e presionit ndaj gjykatës. Sot u paraqit kjo akuzë. Klienti foli dhe dha shpjegime dhe insistoi e provoi se nuk ka qenë asnjëherë pjesëmarrës në tendera, nuk ka pasur asnjë përfitim financiar nëpërmjet tenderimit dhe nuk ka qenë pjesë e grupeve kriminale në presione të ndryshme.”, tha ai.

GJKKO ka vendosur të lërë në fuqi masën 'arrest me burg' ndaj Ergys Agasit të arrestuar më 26 gusht pas 8 muajsh në arrati. Vetë biznesmeni ishte i pranishëm në gjykatë, në seancën e cila nisi në orën 09:00, por u ndërpre dy herë. 

Agasi u arrestua së bashku me ish-zyrtarin e Policisë, Uljan Shpataraku në zonën e Plepave në Durrës. Seanca për Shpatarakun do të zhvillohet ditën e nesërme.

Biznesmeni ishte shpallur në kërkim nga SPAK si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’. 

ZËRI raportoi mbrëmjen e 26 gushtit se Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit, ndërsa arrestimi i tij u finalizua në zonën e Plepave në Durrës./ZËRI

Poll

MOS HUMB