Aktualitet

Pas KLGJ-së edhe KLP vendos për rritjen e pagës së prokurorëve

KLP vendosi që paga referuese të jetë 222.425 lekë, së cilës i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit.

F.I
Pas KLGJ-së edhe KLP vendos për rritjen e pagës së
FOTO ILUSTRUESE-mbledhje KLP

TIRANË-Vetëm dy ditë nga vendimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor për rritjen e pagës referuese të magjistratëve edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka marrë të njëjtin vendim për prokurorët. KLP vendosi që paga referuese të jetë 222.425 lekë, së cilës i shtohen edhe 14 mijë lekë për nivelin e kualifikimit. Baza e përllogaritjes shkon në 236.425 lekë.

Vendimi u mor me 11 vota pro dhe asnjë kundër. Këshilli i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme që të aplikojë të njëjtën pagë referuese për prokurorët. Anëtari i KLP-së Erind Mërkuri, argumentoi se vendimi është i detyruar nga boshllëku ligjor i krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. 

"Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e një norme. Efekti ishte me afat duke i dhënë kohë Kuvendit për të plotësuar boshllëkun. Në mbledhjen Këshilli i Legjislacionit i Kuvendit ta kalonte qeverisë. Qeveria nuk ka pranuar. Në këtë moment nuk ka më bazë ligjore për pagën në Shqipëri. Legjislacioni nuk ecën duke lejuar absurde. Doktrina thotë se në këto raste mosveprimi të ligjvënësit mbulohet nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Vendimet e GJK janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim. Unë personalisht në një rast kam përfaqësuar Kuvendin por sigurisht në këtë rast duhet të zbatojmë vendimin e Kushtetueses. Në këtë pikë është përgatitur një relacion. Paga referencë është paga në Kryeministri, kategoria drejtor i përgjithshëm, (në atë kohë ka qenë drejtor kabineti, sot nuk ekziston më). Jemi të detyruar nga Gjykata Kushtetuese dhe për të mbajtur sistemin në këmbë, pasi paga është baza e funksionimit”, tha ai.

Ndërkohë më 26 gusht KLGJ vendosi që paga referuese e gjyqtarëve të rritet me 65.600 lekë. Paga referuese do të shkojë në 222.425 lekë, nga 156.800 lekë që ishte më parë, pa përfshirë shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit. Vendimi erdhi disa muaj pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi ndryshimet ligjore të vitit 2023 për pagën referuese të gjyqtarëve, duke vlerësuar se ato cenonin parimin kushtetues që paga e gjyqtarit nuk mund të ulet.

Në shkurt të këtij viti, Gjykata Kushtetuese i dha afat Kuvendit që deri në muajin korrik, të vendote për formulën e re për pagat e gjyqtarëve. Sipas Kushtetueses i takon Kuvendit të Shqipërisë për përzgjedhjen e referencës, ku do të bazohet përcaktimi i pagës për magjistratët. Shoqata e Gjyqtarëve çoi në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë të vitit 2023, në të cilin ndryshohej formula e pagave të gjyqtarëve, duke argumentuar se formula e re cenonte nenin 133 të Kushtetutës.

Poll

MOS HUMB