TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga jeta e 50-vjeçarit Edmond Sula, i cili u ekzekutua mesnatën e 11 korrikut në fshatin Bërxullë, në Vorë para banesës së tij. Lidhur me ekzekutimin ende nuk ka asnjë gjurmë nga autori, i cili dyshohet se ka përdorur një armë me precizion të lartë, të pajisur me dylbi.
Hetimet për vrasjen e Edmond alias Ali Sulës janë shtrirë edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi rezulton se viktima ishte aksioner në një kompani, e cila ishte pajisur me licencë për kultivimin e kanabisit mjekësor. Autoritetet shqiptare pritet t’u drejtohen homologëve maqedonas zyrtarisht për informacione më të detajuara të aktivitetit të Sulës në këtë vend.
Dyshimet janë për ndonjë konlfikt të mundshëm në këtë biznes, edhe pse deri tani nuk ka ndonjë provë. Viktima i njohur edhe me emrin Ali Sula merrej me shit-blerje pronash. Policia po verifikon edhe konfliktet e mundshme që mund të kenë lindur nga profesioni i tij.
Edmond Sula u vra mesnatën e 11 korrikut, rreth orës 00:00, në fshatin Bërxullë, në Vorë. 50 vjeçari i njohur edhe me emrin Ali Sula sapo kishte parkuar automjetin e tij dhe teksa i drejtohej derës së banesës, një plumb e ka goditur nga mbrapa, në shpinë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas hetimeve paraprake plumbi u shkrep nga një armë me precizion të lartë, e pajisur me dylbi. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe motivin e krimit./ZËRI


