Aktualitet

Autori dyshohet se veproi i vetëm…/ Detaje nga vrasja e Edmond Sulës: U zhduk në këmbë përmes pyllit

Hetuesit dyshojnë se ai ka qëndruar i fshehur në barishte, pranë një peme, në pritje të viktimës, ndërsa pas kryerjes së krimit, dyshohet se është larguar në këmbë përmes arave dhe më pas është futur në një zonë të pyllëzuar, ku janë humbur gjurmët.

zh.ll
Autori dyshohet se veproi i vetëm…/ Detaje nga vrasja e Edmond
edmond sula-vendngjarje

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e Edmond Sulës, ndërsa nga të dhënat e mbledhura deri më tani dyshohet se autori ka vepruar i vetëm dhe është larguar nga vendi i ngjarjes pa automjet. Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se nga këqyrja e kamerave të sigurisë në zonë nuk rezulton që autori të ketë përdorur makinë për t'u larguar. 

Hetuesit dyshojnë se ai ka qëndruar i fshehur në barishte, pranë një peme, në pritje të viktimës, ndërsa pas kryerjes së krimit, dyshohet se është larguar në këmbë përmes arave dhe më pas është futur në një zonë të pyllëzuar, ku janë humbur gjurmët. Sipas hetimeve, ai e njihte mirë terrenin dhe kishte studiuar me kujdes itinerarin e largimit, duke shmangur zonat e mbuluara nga kamerat e sigurisë.

Gati një javë pas ngjarjes, policia nuk ka rënë ende në gjurmët e autorit, pasi ndryshe nga atentatet e kryera zakonisht nga vrasës me pagesë, në këtë rast nuk është gjetur asnjë automjet i djegur. Sakaq, ngrihen dyshimet se autori mund të jetë një person me konflikte të mëparshme me Edmond Sulën dhe jo domosdoshmërisht një ekzekutor i paguar.

Konfliktet e shumta që viktima kishte pasur ndër vite vijojnë të jenë në fokus të grupit hetimor, ndërsa puna vazhdon për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Edmond Sula u vra mesnatën e 11 korrikut, rreth orës 00:00, në fshatin Bërxullë, në Vorë. 50 vjeçari i njohur edhe me emrin Ali Sula sapo kishte parkuar automjetin e tij dhe teksa i drejtohej derës së banesës, një plumb e ka goditur nga mbrapa, në shpinë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas hetimeve paraprake plumbi u shkrep nga një armë me precizion të lartë, e pajisur me dylbi. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe motivin e krimit, ndërsa deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit apo autorëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB