BRITANI E MADHE-Një 19-vjeçar shqiptar është arratisur nga një qendër ndalimi për emigrantët në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas mediave të huaja i riu ka mundur t'u ikë autoriteteve britanike më 14 korrik, gjatë transferimit të tij në spital nga Qendra e Ndalimit të Emigracionit Campsfield, në Oxfordshire. Autoritetet kanë bërë të ditur se i riu nuk konsiderohet rrezik për banorët.
“Mund të konfirmojmë se një person i ndaluar u arratis ndërsa ishte nën eskortë nga Qendra e Ndalimit të Imigracionit Campsfield më 14 korrik 2026. Ne kemi masa të forta për të gjurmuar dhe ndaluar personat që arratisen. Nuk do të ishte e përshtatshme të komentojmë më tej, pasi hetimet janë ende në zhvillim.”-deklaron Ministria e Brendshme.
Incidenti vjen më pak se një vit pasi Campsfield u rihap si pjesë e planeve të qeverisë për të zgjeruar kapacitetin e ndalimit të imigracionit.