VORË- Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi i 50-vjeçarit Edmond Sula, i cili u vra pak pas mesnate me armë zjarri në Vorë.
Sipas të dhënave paraprake, 50-vjeçari dyshohet se është qëlluar nga një distancë me një armë me precizion të lartë, të pajisur me dylbi. Në vendngjarje nuk është gjetur asnjë gëzhojë, ndërsa viktima dyshohet se është vrarë me vetëm një plumb. Hetuesit dyshojnë paraprakisht se në atentat ka vepruar një autor i vetëm, i cili ende nuk është identifikuar.
Edmond Sula, i njohur edhe me emrin Ali Sula, i cili u vra me një plumb në derën e banesës së tij, nuk rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë. Sipas informacioneve paraprake, 50-vjeçari merrej me shit-blerje pronash. Për këtë arsye, hetuesit po verifikojnë edhe konfliktet e mundshme të krijuara nga kjo veprimtari, si një nga pistat për zbardhjen e motivit të vrasjes.
Për zbardhjen e ngjarjes, janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, ndërsa grupi hetimor vijon punën për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të krimit./ZËRI
