TIRANË- Ylli shqiptar me famë botërore, Dua Lipa, ka reaguar për zhvillimet e fundit në Shqipëri, pas më shumë se 40 ditësh protestash në Tiranë dhe debatit të krijuar rreth vendimmarrjeve të qeverisë shqiptare, të cilat kanë sjellë reagime brenda dhe jashtë vendit.
Reagimi i këngëtares erdhi gjatë episodit më të fundit të podcast-it të saj, “Service95 Book Club”, ku e ftuar ishte shkrimtarja e njohur shqiptare Lea Ypi. Gjatë bisedës mes tyre, Dua Lipa shprehu shqetësimin e saj për vendimet e marra pa transparencë dhe pa konsultim të gjerë me publikun.
Gjatë këtij bashkëbisedimi për zhvillimet aktuale në Shqipëri që kanë bërë jehonë edhe përtej kufijve, Dua u ndal veçanërisht te ndryshimet ligjore që lidhen me ndërtimet në zonat e mbrojtura, duke përmendur edhe ndikimin e mundshëm në zona me rëndësi natyrore si laguna e Vjosë-Nartës dhe zona e Zvërnecit.
“Ne nuk mund të flasim për historinë e Shqipërisë pa folur për Shqipërinë sot. Më duket shqetësuese që qeveria mund të ndryshojë ligjin për mjedisin pa një konsultim publik”, dëgjohet Dua Lipa në fragmentin e publikuar paraprakisht.
Nga ana tjetër, shkrimtarja Lea Ypi, është shprehur sipas saj se, një model zhvillimi lidh mbrojtjen e natyrës me demokracinë dhe llogaridhënien, duke argumentuar se Shqipëria nuk duhet të shesë pasuritë e saj natyrore për interesa afatshkurtra.
Vlen të theksohet se Dua Lipa ka zgjedhur shpesh herë Shqipërinë si destinacionin e saj të pushimeve verore. Madje, këngëtarja ka vizituar zona të ndryshme turistike kryesisht në jug të vendit, dhe është shfaqur duke promovuar Shqipërinë si destinacion turistik, përmes pamjeve të publikuara në rrjetet e saj sociale.

Një nga vendet me të cilat emri i Duas ka qenë jo pak herë në qendër të vëmendjes në Shqipëri, është kompleksi turistik Kepi i Merlit në jug të vendit. Pikërisht këtu, ku Dua Lipa, zotëron një vilë luksoze, për të cilën në fakt, është komentuar dhe kritikuar nga jo pak njerëz. Të shumtë kanë qenë ata të cilët e kanë kritikuar këngëtaret, pasi vila e saj, ndodhet në atë zonë që prej vitesh ka qenë në qendër të debateve për mënyrën si është zhvilluar dhe për kufizimin e aksesit të publikut.
Kepi i Merlit prej vitesh ka qenë në qendër të diskutimeve për modelin e zhvillimit turistik dhe përdorimin e zonave bregdetare, por pikërisht aty, Dua Lipa ka gjetur vilën, strehën e saj të qetësisë./ZËRI