VORË- Një vrasje me armë zjarri është regjistruar pas mesnatës në fshatin Bërxullë, në Vorë. Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 00:10.
Viktima është identifikuar si Edmond Sula, i njohur edhe me emrin Ali Sula, rreth 50-vjeç, i cili dyshohet se është qëlluar me armë zjarri teksa po lëvizte në këmbë në rrugë.
Burime hetimore bëjnë me dije se 50-vjeçari ishte duke u kthyer në banesën e tij kur u qëllua me armë zjarri, duke mbetur i vdekur në vend. Sipas të njëjtave burime, autori ose autorët dyshohet se i kishin zënë pritë dhe e kanë qëlluar në momentin kur ai po afrohej pranë shtëpisë.
Ndërkohë, deri në këto momente ende nuk është bërë i mundur identifikimi i autorit, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po ushtron kontrolle në zonë me qëllim kapjen e autorit ose autorëve të ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Vorë/Informacion paraprak
Më datë 12.07.2026, rreth orës 00:10, në fshatin Bërxullë, Vorë, dyshohet se është vrarë me armë zjarri shtetasi E(A). S., rreth 50 vjeç, i cili ka qenë në rrugë, duke lëvizur në këmbë.
Një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do të ndihmojë në zbardhjen e saj, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të dyshuar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrojnë kontrolle në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.