TIRANË- Pas ngjarjes tragjike të mbrëshme, ku gazetari i News 24 ka ndërruar jetë si pasojë e një aksidenti me motor, kanë reaguar edhe shoqatat e gazetarëve në vend.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) kanë shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe kolegëve të Enrikut.
Në reagimet e tyre AGSH dhe UGSH, theksuan profesionalizmin që tregoi Mehmeti ndër vite, teksa ka raportuar ngjarje që nga kronika e zezë e deri te ato sociale.
REAGIMI I AGSH-së:
Telegram ngushëllimi i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka marrë me dhimbje të thellë lajmin për ndarjen tragjike nga jeta të gazetarit të News24, Enrik Mehmeti, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor në Vlorë.
Largimi i parakohshëm i Enrikut është një humbje e rëndë për familjen e tij, të afërmit, kolegët, miqtë dhe për të gjithë komunitetin e gazetarëve shqiptarë. Për vite me radhë ai raportoi me përkushtim nga qarku i Vlorës, duke u dalluar për profesionalizmin, seriozitetin dhe angazhimin e tij në informimin e publikut.
Në këto momente të vështira, AGSH i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Mehmeti, redaksisë së Neës24 dhe të gjithë kolegëve që patën fatin ta njohin dhe të punojnë me të.
Kujtimi i Enrik Mehmetit do të mbetet i gjallë në gazetarinë shqiptare.
U prehtë në paqe.
REGAIMI I UGSH-së:
Tiranë më 18 Korrik 2026
Me hidhërim të madh njoftojmë se, gjatë mbrëmjes së sotme është ndarë nga jeta, për shkak të një aksidenti të rëndë automobilistik, kolegu ynë, kryetar i UGSH Qarku Vlorë, Enrik Mehmeti.
Enrik Mehmeti është një ndër reporterët më të njohur, që prej vitesh punoi për Tv Neës 24, ndërsa ndau përvoja të konsiderueshme me media të tjera, sidomos ato vendoret në qytetin e Vlorës, si televizioni Gjashtë Plus 1, shtypin e shkruar dhe mediat e reja.
Gjatë karrierës së vet gazetari Mehmeti spikati për ambicien raportuese, energjinë profesionale dhe lidhjet me komunitete të ndryshme profesionale.
Enriku ishte një aktivist qytetar që e mbajti frymën e përfshirjes përherë të dukshme për kauza sociale dhe urbane. Në shumë aktivitete dhe veprimtari kualifikuese ai u dallua si një gazetar me ndjenjën e fortë të kapërcimit të sfidave.
Vitet e fundit, Enriku pati mjaft udhëtime profesionale mes Shqipërisë dhe SHBA, prej nga përcolli për median ku raportonte përditshmërisht, si dhe online-t e veta, materiale të posaçme që dëshmojnë gjetje dhe realizime në disa zhanre të gazetarisë.
Enriku prej disa vitesh kryesoi degën e UGSH për Qarkun e Vlorës dhe ishte i pari që nismoi dhe realizoi ndarjen e çmimeve “ Petro Marko” për gazetarinë në këtë qark.
Si gazetar pasionant Enriku ishte mik dhe bashkëpunëtor me dhjetra intelektualë, artistë dhe sportistë të qytetit dhe zonave të tjera të vendit.
Enriku u nda papritur nga jeta, në moshën 40 vjeçare duke lënë pas bashkëshorten e vet dhe dy fëmijët e vegjël, më i vogli ende as dy muajsh.
Kjo ikje e papritur nga jeta e Enrikut,
sjell gjëmë të rëndë për familjen e tij të dashur dhe shkakton dhimbje tek të gjithë ne miqtë dhe kolegët e tij.
Lamtumirë, i dashur Enrik!!!
Ngushëllime dhe kurajo i përcjellim bashkëshortes, fëmijëve dhe krejt familjes Mehmeti!!!
Të qoftë i lehtë dheu i Vlorës, kolegu dhe miku ynë i paharrueshëm!!!!!
Zyra Informuese
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:40 në zonën e Dajlanit, ku gazetari humbi kontrollin e motorit, duke përfunduar jashtë zonës rrugore në afërsi të bregdetit. Ai udhëtonte së bashku me një 18-vjeçar, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ambulca mbërriti në vendngjarje, e cila e transportoi 40-vjeçarin drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por për shkak të plagëve të marra në trup, ndërroi jetë./ZËRI