VLORË- Gazetari Enrik Mehmeti, i cili ka humbur jetën pas një aksidenti me motor mbrëmjen e djeshme, vetëm pak ditë më parë kishte bërë thirrje për kujdes ndaj mjeteve me dy rrota.
Përmes rrjeteve sociale, ai shkruante se nisur nga aksidentet e fundit në zonën e Vlorës, aty ku ai jetonte, të gjithë të bëjnë kujdes në çdo kohë me motor.
“Një ngjarje e rëndë është shënuar pak më parë në qytetin e Vlorës, ku një motoçikletë është goditur nga një automjet, pikërisht nga automjeti që gjendet atje, i cili më pas ka goditur një tjetër automjet. Drejtuesi i automjetit është dërguar në jetë në spitalin e Vlorës, ndryshe nga disa raste të fundit ditëve të fundit, kanë humbur jetën dy të rinj, një 19-vjeçar disa ditë më parë është përciellë në banesën e fundit pasi ka qëndruar në koma disa ditë. Thirrja për të gjithë të rinjtë dhe për drejtuesit e automjeteve: E para njëherë për të rinjtë, kujdesni në motor, gjithmonë duhet të mbajmë kokore dhe më pas për drejtuesit e automjeteve që të jenë më të kujdesshëm, pasi shifrat dhe numrat ditëve të fundit të viktimave të motorrit janë vëretë të larta. Më shumë është një thirrje sensibulizuese për sa më shumë kujdes për të gjithë ata që drejtojnë motomjete por nga ana tjetër edhe ata që drejtojnë automjete të kenë kujdes.” - është shprehur ai përmes një videoje në rrjetet e tij sociale.
Ndërsa vetëm pak ditë më vonë, fati tragjik bëri që vetë gazetari të përfshihet në një aksident me motor, ku dyshohet se humbi jetën si pasojë e një manovre gjatë drejtimit të mjetit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:40 në zonën e Dajlanit, ku gazetari humbi kontrollin e motorit, duke përfunduar jashtë zonës rrugore në afërsi të bregdetit. Ai udhëtonte së bashku me një 18-vjeçar, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ambulca mbërriti në vendngjarje, e cila e transportoi 40-vjeçarin drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por për shkak të plagëve të marra në trup, ndërroi jetë./ZËRI