VLORË- Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në zonën e Dajlanit në Vlorë.
Si pasojë e një aksidenti rrugor gazetari Enrik Mehmeti humbi jetën. Policia e Vlorës njofton se dyshohet se gazetari ka humbur kontrollin e motorit, i cili më pas është përmbysur jashtë zonës rrugore në afërsi të bregdetit. 40-vjeçari për shkak të aksidentit ka marrë dëmtime të rënda në trup. Më motomjet ai ka qenë së bashku me pasagjerin 18-vjeçar, i cili ka pësuar dëmtime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur dhe ambulaca,e cila e ka transportuar gazetarin drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, ku pavarësisht ndihmës së dhënë nga stafi mjekësor ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor, po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes aksidentale.
Njoftimi i Policisë së Vlorës:
Rreth orës 21:40, në zonën e Dajlanit, në Vlorë, në bregdet dhe jashtë zonës rrugore, ka ndodhur një ngjarje aksidentale me pasojë humbjen e jetës së shtetasit E. M., rreth 40 vjeç, banues në Vlorë (gazetar).
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se, duke lëvizur me një motomjet me katër rrota, ai ka humbur kontrollin mbi drejtimin e motomjetit, i cili është përmbysur. Si pasojë e përmbysjes, drejtuesi i motomjetit, shtetasi E. M., ka pësuar dëmtime të rënda trupore.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. I dëmtuari është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku, pavarësisht ndihmës së dhënë nga personeli mjekësor, ka ndërruar jetë.
Në motomjet ndodhej si pasagjer shtetasi K. S., rreth 18 vjeç, i cili ka pësuar dëmtime të lehta pa probleme për jetën.
Nga verifikimet paraprake rezulton se ngjarja aksidentale ka ndodhur jashtë zonës rrugore, në një sipërfaqe bregdetare, dhe nuk ka përfshirë mjete të tjera apo përdorues të rrugës.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të kësaj ngjarjeje aksidentale./ZËRI