
DURRËS-Seanca për caktimin e masave të sigurisë ndaj tre të dyshuarave për zhdukjen e 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës u shoqërua me debate të forta mes prokurorisë dhe mbrojtjes së ish-drejtoreshës Elisabeta Mataj, e cila është edhe anëtare e Këshillit Bashkiak të Durrësit dhe e Këshillit Drejtues të Autoritetit Portual Durrës.
Sipas prokurorisë, lëvizja e shumave monetare është kryer në kundërshtim me rregulloren, pa masat e detyrueshme të sigurisë. Organi i akuzës pretendon se gjatë muajve prill dhe maj janë tërhequr rreth 69 milionë lekë nga arka qendrore, pa u regjistruar si hyrje në degët e Postës në Shijak dhe Krujë. Gjithashtu, janë evidentuar mandatpagesa të dyshuara të falsifikuara, ndërsa përgjegjësia për përvetësimin e shumës i atribuohet ish-drejtoreshës, e cila i ka mohuar kategorikisht akuzat.
Një nga elementët e paraqitur nga prokuroria ishte edhe frekuentimi i kazinove nga Elisabeta Mataj dhe bashkëshorti i saj. Sipas akuzës, Mataj rezulton të ketë hyrë 335 herë në kazino në Tiranë, ndërsa vetëm gjatë periudhës prill–maj, kur dyshohet se janë zhdukur fondet, ka hyrë 27 herë. Bashkëshorti i saj, sipas prokurorisë, ka regjistruar 340 hyrje në kazino gjatë muajve të fundit. Për hetimin janë administruar edhe pamje filmike nga hyrje-daljet e çiftit në dy kazino të kryeqytetit.
Pas seancës, bashkëshorti i ish-drejtoreshës deklaroi se ata frekuentojnë kazinotë prej tetë vitesh dhe se kjo nuk ka asnjë lidhje me çështjen e Postës.
Nga ana tjetër, mbrojtja kërkoi një masë më të lehtë sigurie, duke argumentuar se Elisabeta Mataj është nënë e gjashtë fëmijëve dhe nuk paraqet rrezik për t’iu shmangur drejtësisë. Avokatja e saj kundërshtoi gjithashtu pretendimin se klientja ishte larguar nga Shqipëria për t’i shpëtuar hetimit, duke sqaruar se hyrja e saj në vend ishte kryer nga pika kufitare e Morinës, e cila nuk regjistrohet në sistemin TIMS për shkak të marrëveshjeve me Kosovën.
Mataj kishte sinjalizuar prej muajsh problematika në sektorin e financës, duke kërkuar kontrolle, masa disiplinore dhe duke informuar vazhdimisht Drejtorinë e Përgjithshme të Postës për shkeljet e konstatuara.
Ndërkohë, ish-shefja e financës Valbona Duni deklaroi se paratë janë marrë nga zyra e saj nga drejtoresha dhe nuk janë kthyer më, ndërsa arkëtarja Paola Dana mohoi çdo përfitim financiar, duke theksuar se çdo veprim kryhej vetëm me urdhër të drejtoreshës.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi masën "arrest në burg" për Elisabeta Matajn, ndërsa ndaj ish-shefes së financës Valbona Duni dhe arkëtares Paola Dana u caktua masa "arrest në shtëpi".
Për këtë çështje janë regjistruar tre kallëzime penale, të cilat pritet të bashkohen në një procedim të vetëm nga prokuroria./Tch