TIRANË-'Mbreti' shqiptar i kokainës, Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është ekstraduar sot nga Turqia në vendin tonë. Rexhepi u shoqërua nën masa të rrepta sigurie nga Stambolli deri në aeroportin e Rinasit, ku forca të shumta të RENEA-s siguruan transferimin e Rexhepit pa incidente. Turqia e miratoi ekstradimin në Shqipëri të Dritan Rexhepit në shkurt të 2024-ës, i cili u arrestua në Stamboll në muajin nëntor të vitit 2023. Rexhepi në vendin tonë akuzohet për tre vepra penale: rrëmbimi dhe zhdukja e Jan Prengës, vrasje në Krujë vite më parë, falsifikim dokumentesh në Fier.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.
45-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore, sepse:
-Në vitin 2020, GjKKO-ja i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, ''Fshehja dhe asgjësimi i kufomës'', “Trafikimi i lëndëve narkotike”, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi akuzohet se në bashkëpunim me shtetasin G. D., ka urdhëruar rrëmbimin e shtetasit J. P., pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i shtetasit J. P., kishte vjedhur në Angli, një kontenier me lëndë narkotike në pronësi të 45-vjeçarit dhe bashkëpunëtorit të tij;
-Në vitin 2015, Gjykata e Fierit e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprat penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave" dhe "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve";
-Në vitin 2013, është dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda, me 25 vjet burgim, për veprat penale "Vrasja me paramendim” dhe "Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit". Më datë 06.10.1999, në një lokal në Krujë, 45-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, ka vrarë me armë zjarri, shtetasin D. K., si dhe ka plagosur pronarin e lokalit, shtetasin R. B., i cili ka humbur jetën më pas, në spital;
-Në vitin 2010, është dënuar nga Gjykata e Apelit e Firences, Itali, me 16 vjet burgim, për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, për trafikim të lëndëve narkotike. Shtetasi Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi është arratisur nga vendi i vuajtjes së këtij dënimi, në Firence. Nga ky dënim i kanë mbetur për të vuajtur 13 vjet, 8 muaj dhe 6 ditë burgim.
Rexhepi kërkohet në Shqipëri si porositës për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, ngjarje kjo e ndodhur 4 vite më parë, pas konfliktit me vëllezërit e tij për një sasi kokaine. Ndërkohë në janar të vitit 2024 Gjykata Kushtetuese la në fuqi përfundimisht dënimin për Dritan Rexhepin me 25 vjet burg. Vendimi lidhet me fajësinë e 43-vjeçarit për vrasjen e policit Durim Kasmi në vitin 1999 në qendër të Krujës dhe plagosjen e Ramazan Bakiut, me pasojë vdekjen disa ditë më pas.
Ekstradimi i "Mbretit të kokainës" kërkohet nga disa vende, një prej tyre Italia, e cila e ka dënuar me 20 vite burg dhe Ekuadori e Belgjika. Autoritetet italiane akuzojnë gjithashtu Rexhepin se ka urdhëruar të paktën dy vrasje të tjera gjatë qëndrimit në burg, në Ekuador dhe Shqipëri. Shqiptari ka mohuar përfshirjen e tij në këto krime.
Rexhepi u vu në pranga në Turqi, në sajë të bashkëpunimit mes autoriteteve turke dhe atyre italiane, ndërkohë që kishte arritur të largohej nga burgu në Ekuador përmes një arresti shtëpie fillimisht, dhe më pas një arratie nga vendi. Në momentin e arrestimit, Rexhepi ishte në shoqërinë e gruas së tij kolumbiane dhe dy fëmijëve. Ai dyshohet si kreu i një klani të fuqishëm të trafikut të kokainës nga vendet e Amerikës Latine për në Europë. Përveç shpalljes në kërkim nga Shqipëria, ai ka llogari të hapura me drejtësinë dhe në Spanjë, Itali dhe Britani të Madhe.
Dritan Rexhepi është cilësuar dhe si një mjeshtër i arratisjeve nga burgu. Fillimisht ai u arratis në vitin 2007 nga Komisariati i Durrësit. Ndërkohë një vit më pas ai kreu një arratisje spektakolare nga burgu i Pavias në Itali. Pak më vonë një tjetër arrati u regjistrua në Belgjikë. Ai doli nga Kakavija me pasaportën e falsifikuar me gjeneralitetet Lulzim Murataj –pasaportë me të cilën u arrestua në Ekuador- dhe prej datës 16 nëntor 2013, Dritan Rexhepi nuk është kthyer më në Shqipëri./ZËRI