
TIRANË-Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, është paraqitur në SPAK mesditën e së hënës (6 Janar). Prokuroria e Posaçme nuk ka dhënë detaje rreth arsyes së thirrjes së Ermal Hoxhës.
Kujtojmë që nipi i ish-diktatorit ka qenë i dënuar për laboratorin e drogës në Xibrakë, dosje e cila është hapur pas një denocimi të kreut të Grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili pretendon se i përfshirë është edhe Olsi Rama.
9 të pandehurit e dosjes Xibraka, përfshi edhe dy shtetas kolumbiane, u deklaruan fajtorë nga Krimet e Rënda dhe u dënuan me 104 vite burg në total. Vetë Ermal Hoxha u dënua me 6 vjet e 8 muaj, por u la i lirë nga qelia e burgut të Fierit më 13 shtator të vitit 2018 kur i kishin mbetur edhe 1.8 vite dënim. Por fitoi lirinë, pasi përfitoi nga lirimi me kusht.
Nipi i Enver Hoxhës u arrestua gjatë një aksioni ndërkombëtar i cili zbuloi një laborator kokaine në Xibrakë të Elbasanit. Operacioni “Xibraka” u zhvillua më 14 Janar të 2015, në pranga ranë 11 persona mes tyre dhe 2 shtetas kolumbianë. 8 persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë. Ndërsa në kërkim u shpall Genci Xhixha, i cili njihet si kreu i një rrjeti të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë./ZËRI