
TIRANË-Janë publikuat pamjet e sherrit, ku u dhunua Adriatik Rroshi në ambientet e një berberhane në Laprakë. E gjithë skena e dhunës është regjistruar nga kamerat e sigurisë të berberhanes ku ndodhi ngjarja, e ndodhur në rrugën “29 Nëntori”, pranë kryqëzimit tek ish-“Shqiponja”.
Pamjet dramatike tregojnë grupin teksa dhunojnë me leva, qyta pistolete dhe çekiçë 48-vjeçarin. Fillimisht në berberhane futen 4 persona të maskuar dhe të “armatosur” me shufra hekuri dhe sëpata, teksa dy tjerë kanë qëndruar roje tek dera. Ata tërheqin zvarrë biznesmenin Adriatik Roshi, i cili ishte duke pritur në radhë dhe pasi e shtrijnë në tokë, fillojnë ta godasin me shufra hekuri, sëpatë dhe sende të tjera.
Adriatik Roshi vijon të jetë në reanimacion në spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore. Ai ka marrë dëmtime në pjesën e kokës dhe në gjymtyrë.
Si u organizua ngjarja
Gani Koçeku, një nga të arrestuarit, dyshohet se ka bërë vëzhgimin e viktimës me një makinë 'BMW X3'. Ledio Tusha, i cili është djali i motrës së L.K., gjithashtu i arrestuar, ka qenë në mjetin e përdorur nga autorët dhe brenda makinës është gjetur me një maskë, një kapelë dhe një xhup të zi, që dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit.
Po ashtu, Gëzim Koçeku ka ndihmuar autorët e sulmit duke hapur rrugën për mjetin e tyre 'Audi'. Ronald Koçeku, një tjetër anëtar i familjes dhe vëllai i Gani Koçekut, dyshohet se ka bërë ruajtjen e Adriatik Roshit pas sulmit dhe ka marrë një makinë me qera, 'BMW X3', nga Ajet Balliu për të mundësuar arratisjen e autorëve.
Të arrestuar në lidhje me ngjarjen janë Gani Koçeku 24 vjeç dhe Ledio Tusha 31 vjec. Ndërkohë në kërkim janë shpallur L.K, Ronald Koçeku, Dino Koçeku dhe Gëzim Koçeku./ZËRI