Politikë

“Edhe Berisha e Nano kërkuan investitorë për Sazanin”/ Rama: Edhe unë tentova dy herë, por nuk u finalizua

Kryeministri u ndal edhe te projekti i investimit në ishull, duke e përshkruar atë si një destinacion që synon të ofrojë turizëm të nivelit të lartë, me vila, hotele dhe shërbime të lidhura me shëndetin dhe aktivitetet sportive.

M.K.
“Edhe Berisha e Nano kërkuan investitorë për
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ideja për sjelljen e investitorëve të huaj në ishullin e Sazanit nuk është e re. Sipas kryeministrit përpara tij në krye të qeverisë, edhe ish-kryeministrat Sali Berisha dhe Fatos Nano kanë tentuar të tërheqin investime për këtë zonë.

“Qoftë paraardhësi im dhe qoftë edhe paraardhësi i paraardhësit tim kanë dashur të sjellin investitorë në Sazan. Edhe unë kam dashur dy herë të tjera të sjell investitorë në Sazan, por nuk është finalizuar”, tha Rama.

Kryeministri u ndal edhe te projekti i investimit në ishull, duke e përshkruar atë si një destinacion që synon të ofrojë turizëm të nivelit të lartë, me vila, hotele dhe shërbime të lidhura me shëndetin dhe aktivitetet sportive.

“Ata do bëjnë aty një destinacion eksperience. Do ketë vila, por edhe hotele të nivelit më të lartë në botë. Sheval Vlau është një firmë që s’të vjen në Shqipëri kështu. Atlantis është hoteli i famshëm në Dubai. Është Atlantisi i parë që hyn në Europë”, deklaroi ai.

Rama tha se në kuadër të zhvillimit të zonës parashikohen edhe aktivitete të tjera, përfshirë shërbime shëndetësore dhe kalërimin.

“Aty do ketë edhe të tjera gjëra që lidhen me shëndetin, kalërimin. Ne jemi duke punuar për një investim të rëndësishëm shëndetësie në Vlorë”, u shpreh kryeministri.

Ndërsa lidhur me vetë Sazanin, Rama e cilësoi ishullin si një zonë me bukuri natyrore, por që sipas tij kërkon investime të mëdha infrastrukturore për t’u kthyer në një destinacion turistik./ZËRI

Poll

MOS HUMB