TIRANË- Edi Rama ka folur për të ardhmen e tij në politikë dhe për projektin e shumëdiskutuar të Zvërnecit, duke deklaruar se nuk e sheh veten në qeverisje 'përjetësisht' dhe se largimi i tij do të lidhet me përmbushjen e objektivit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Nuk jam këtu për t’u bërë mbret apo për të qeverisur në përjetësi, por jam këtu se shoh derën e hapur të BE-së. Kur ta kapërcej pragun e asaj dere, ju shpëtoni nga unë,"është shprehur Rama.
Rama u ndal më pas te projekti për zhvillimin e Zvërnecit, investim që lidhet me vajzën dhe dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump. Ai mohoi të ketë diskutuar me Trump për këtë projekt, duke theksuar se vendimmarrja do të bazohet te ligji dhe vlerësimet shkencore.
“S’kam folur kurrë me Trump për këtë projekt,” tha Rama.
Kryeministri tha se nuk do të tërhiqet nga projekti nëse ai plotëson kriteret ligjore dhe shkencore. Sipas tij, vetëm në rast se këto dy elemente e pengojnë realizimin e tij, investimi nuk do të vijojë.
“Nëse do më ndalojë ligji dhe shkenca, nuk do bëhet projekti në Zvërnec,” ka deklaruar kryeministri./ZËRI