Politikë

“Sazani nuk do të shitet”/ Rama zbulon çfarë po negociohet për ishullin dhe çfarë po ndodh me Zvërnecin

Duke folur konkretisht për Sazanin, Kryeministri sqaroi se nuk ka ende një kontratë të lidhur me investitorët dhe se procesi ndodhet ende në fazën e negociatave.

M.K.
“Sazani nuk do të shitet”/ Rama zbulon çfarë po
edi rama

TIRANË- Gjatë intervistës në podcastin “Flasim”, Rama tha se vizita e Ivanka Trump disa muaj më parë, e shoqëruar nga një grup inxhinierësh, ishte publike, por më pas rreth saj u krijuan interpretime dhe spekulime të ndryshme.

“Ivanka Trump ishte në Vlorë disa muaj më parë me një grup inxhinierësh, doli kudo, kishte pozitivitet, nuk pashë njërin të thoshte ‘po kjo këtu ç’do’. Ajo fraza mori dhenë, por nuk është se mësoi gjë publiku nga kjo, prapë publiku spekuloi,”tha kryeministri.

Duke folur konkretisht për Sazanin, Kryeministri sqaroi se nuk ka ende një kontratë të lidhur me investitorët dhe se procesi ndodhet ende në fazën e negociatave. Rama theksoi se ishulli nuk është në shitje dhe se do të vijojë të jetë pronë shtetërore.

“E para një herë, s’ka si të ketë shitje. Sazani është nën negociata, prej vitesh. Ne negociojmë me palën tjetër për si do të ndërtohet bashkëpunimi me Sazanin, ne i kemi vënë disa kufij, Sazanin nuk kanë kërkuar asnjëherë ta blejnë. Nuk ka asnjë kontratë sot që flasim, ka vetëm negociata," është shprehur kryeministri.

Sipas Ramës, diskutimet nuk përfshijnë të gjithë sipërfaqen e ishullit. Nga rreth 560 hektarë, negociatat lidhen me afërsisht 45 hektarë, ndërsa një prej problematikave kryesore mbetet infrastruktura dhe nevoja për çminimin e zonës.

“Sazani nuk është një thesar që ka kontabilitet, është një territor i cili është shumë i bukur, por edhe problematik. Sazani është zonë e minuar, aty duhet të bëhet çminim. Në Sazan nuk ka ujë, nuk ka drita," tha kryeministri Edi Rama.

Ndryshe paraqitet situata për Zvërnecin. Rama tha se bëhet fjalë për një pronë private dhe se për këtë zonë tashmë është refuzuar projekti i parë, ndërsa institucionet janë në pritje të një propozimi të ri.

“Në Zvërnec kemi një histori tjetër, që është histori disavjeçare dhe faktikisht sot jemi në pritje të një projekti, pasi ne kemi refuzuar projektin e parë," ka shtuar kryeministri.

Kryeministri bëri të qartë se dy projektet nuk duhen trajtuar si një çështje e vetme, pasi statusi i pronës dhe faza në të cilën ndodhen janë të ndryshme.

“Për Sazanin nuk kemi mbaruar akoma negociatat, sepse Zvërneci është privat dhe Sazani është tokë shtetërore dhe do të mbetet shtetërore,"tha Rama./ZËRI

Poll

MOS HUMB