TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka dhënë pretencën për një fraksion të dosjes ‘Meta’ ku të pandehur janë Fatime Kryemadhi, Ema Çoku dhe Pirro Xhixho. Konkretisht SPAK ka kërkuar për Fatime Kryemadhin, dënimin me 7 vite e 6 muaj burg për veprën penale të pastrimit të parave, kryer në bashkëpunim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi ulet në 5 vite burg. Megjithatë, prokuroria kërkoi që, duke marrë në konsideratë moshën e saj, dënimi me burg të konvertohet në 5 vite shërbim prove.
Për Pirro Xhixhon, SPAK kërkoi dënimin me 4 vite e 6 muaj burg. Edhe ndaj ish-zyrtarit u propozua t’i konvertohet dënimi në shërbim prove. Ndërkohë, për Ema Çokun, e akuzuar gjithashtu për pastrim parash, kryer në bashkëpunim, SPAK kërkoi dënimin me 7 vite burg, i cili, për shkak të gjykimit të shkurtuar, ulet në 4 vite e 8 muaj burg. Duke marrë në konsideratë rrethanat e çështjes, organi i akuzës kërkoi pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burg dhe vendosjen e saj në shërbim prove për 5 vite.
Pirro Xhixho është babai i Erisa Xhixhos, një eksponente e lartë e LSI prej shumë vitesh, e cila ka mbajtur deri në detyrën e zv.ministres së Intergrimit. I ati i saj, ka mbajtur gjithashtu prej vitesh drejtimin e Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, detyrë nga e cila u shkarkuar në tetor të vitit 2017.
Në konkluzione SPAK ka zbërthyer edhe rolin e secilit, ku për nënën e Monika Kryemadhit deklaron se nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro të deklaruara si pagesa nga kompania “Agi Cons” për shlyerjen e kredive, si dhe 310 mijë euro të tjera që konsiderohen me burim të pajustifikuar. Ndërkohë Çoku ka firmosur deklarata noteriale, sipas të cilave i kishte dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro.
Vendimi përfundimtar për këtë çështje pritet të merret nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila do të shqyrtojë pretencën e SPAK-ut dhe qëndrimet e mbrojtjes.
Konkluzionet e Prokurorisë së Posaçme:
Fatime Kryemadhi nuk justifikon 98 mijë euro, 246 mijë dollarë, 100 mijë euro të deklaruara nga Agi Kons për të shlyer kreditë, po ashtu 310 mijë euro të pajustifikuara. Janë marrë dy kredi për të blerë apartamentet, por kreditë janë shlyer me para cash, me burime të pajustifikuara. Deklaratat noteriale janë përpiluar pas pyetjes së Fatime Kryemadhit, nga organi i akuzës. Po ashtu, personat e pyetur në lidhje me huat me para cash ndaj Fatime Kryemadhit nuk kanë asnjë gjurmë të deklarimit të shumave monetare në pikën e kalimit kufitar, nga këta persona.
Ema Çoku është lidhje e ngushtë e Monika Kryemadhit, kjo provohet jo vetëm nga komunikimet e shpeshta, por edhe nga disa transaksione të ndryshme bankare. Ka bërë deklarata noteriale, që i ka dhënë Fatime Kryemadhit 240 mijë euro. Kompania e saj ka paguar faturën e hotelit të shtetasve të huaj që kishin ardhur për të mbështetur LSI-në. Po ashtu, ka paguar disa fatura që lidhen me evente të ndryshme të LRI-së.
Ndërkohë, Ema Çoku ka qenë debitore në bankat e nivelit të dytë për shkak të kredive në shuma të mëdha. Po ashtu, kjo e fundit ka qenë në pamundësi për të bërë donacione. Kjo shtetase ka bërë deklarata noteriale për llogari të Fatime Kryemadhit. Ema Çoku ka tentuar të justifikojë veprimet e të pandehurve të tjerë të këtij procedimi.
GJKKO ka rrëzuar kërkesën e Fatime Kryemadhit, për tu tërhequr nga procesi i gjykimit të shkurtuar e për rrjedhojë çështja në ngarkim të saj, të bashkohet me atë të Ilir Metës e Monika Kryemadhit. Nëna e Monika Kryemadhit e Ema Çoku akuzohen për veprën penale të pastrimit të parave, ndërsa Xhixho është marrë i pandehur për veprën e korrupsionit.