POGRADEC- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga plagosja me armë zjarri e 35-vjeçarit Brian Syzo, e regjistruar mesditën e kësaj të hëne në Pogradec. Sipas burimeve pranë hetimit, dyshohet se në zanafillë të ngjarjes qëndron një konflikt i hershëm mes palëve, ndërsa si autor i dyshuar është identifikuar Nikolla Agolli.
Burimet bëjnë me dije se Agolli ishte plagosur në janar të vitit 2025 në një berberhane në lagjen nr. 1 të Pogradecit. Për atë ngjarje u dyshua si autor Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos, ç'ka ka ngritur dyshime se plagosja e ndodhur sot mund të jetë vazhdim i të njëjtit konflikt.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 13:15 në lagjen nr. 3 të Pogradecit. Paraprakisht dyshohet se, pas një përplasjeje, Nikolla Agolli ka qëlluar me armë zjarri ndaj Brian Syzos, duke e plagosur në këmbë.
35-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën mjekësore. Burime zyrtare konfirmojnë se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa një nga pistat kryesore që po verifikohet është ajo e hakmarrjes për konfliktin e ndodhur vitin e kaluar mes palëve./ZËRI