Aktualitet

Arrestohet sërish Durim Bami në Dubai

Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, thuhet se ai është arrestuar më 21 tetor dhe po mbahet nën arrest

I.F
Arrestohet sërish Durim Bami në Dubai
Durim Bami

DUBAI- Durim Bami është arrestuar sërish në Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe. Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht, thuhet se ai është arrestuar më 21 tetor dhe po mbahet nën arrest, sipas gazetares Anila Hoxha.

Deri më tani, nuk janë bërë me dije arsyet e ndalimit të tij nga Policia e Emirateve të Bashkuara Arabe. Durim Bami u arrestua më parë në qershor të këtij viti në Dubai, por ekstradimi i tij në Shqipëri nuk u bë i mundur, pasi nuk ka një marrëveshje ekstradimi mes vendit tonë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Nuk është konfirmuar ende nëse ndaj tij është lëshuar një masë sigurimi e dytë “arrest me burg” nga Prokuroria e Posaçme. Ndaj të "fortit të Niklës" mund të kenë nisur procedurat riatdhesimit ose ekstradimit të tij, siç u veprua me Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj, të cilët akuzohen për atentatin ndaj Landi Muharremit dhe prokurorit, Arjan Ndoja.

Herën e parë, ai u ndalua së me vëllain e tij Valter Bamin në kuadër të operacionit “Revanshi”. Vëllezërit Durim dhe Valter Bami fshihen prej disa kohësh në Dubai dhe janë persona të shpallur në kërkim me urdhër-arresti nga SPAK. Sipas dosjes së fundit të SPAK, "Revanshi", Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xheçukën dhe Erigers Mihasin, si dhe rezultonte i përfshirë në kultivimin e kanabisit në Tapizë të Niklës.

Nga ana tjetër, po sipas dosjes së Prokurorisë së Posaçme, Durim dhe Valter Bami ishin në ndjekje nga 16 persona të tjerë të cilët kërkonin për t’i vrarë në një luftë të vërtetë mes grupeve më të mëdha kriminale në Shqipëri, me këta të fundit që ofruan 1 milion euro për ‘kokën’ e “të fortit të Niklës”. /ZËRI

Poll

MOS HUMB