
DURRËS- Një protestë është organizuar në portin e Durrësit, ku një banderolë me mbishkrimin "Mbetje të rrezikshme, qeveri toksike" është vendosur për të shprehur shqetësimin ndaj mbërritjes së mbetjeve toksike në Shqipëri. Protestuesit u mblodhën përpara portit ku anija “Moliva” pritet të sjellë 200 kontenierë të dyshuar për përmbajtje të rrezikshme, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve për të parandaluar çdo rrezik për shëndetin publik dhe mjedisin.
Nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, kritikoi ashpër qeverinë dhe kërkoi që prokuroria të veprojë për të sekuestruar kontenierët. Ai e quajti situatën një "skemë krimi gjigande" dhe theksoi se porti i Durrësit është bërë një qendër për përfitimet e politikës dhe krimit të organizuar.
Reagimi i Oerd Bylykbashit:
"Mbetjet toksike po vijnë në Portin e Durrësit dhe e bëmë këtë protestë për të caktuar qartë qëndrimin jo vetmë të PD por edhe të qytetarëtve të Durrësit dhe Shqipërisë që janë kundër këtyre mbetjeve. Kjo është një skemë krimi gjigande dhe ky port është përbashkues i interesave të politikës dhe krimit. Porti është grabitur për të ja dhënë mikut të Ramës dhe kur ndodh kjo asgjë nuk mund ta pengojë kalimin e mbetjeve toksike.
Këto mbetje u pikasën nga Rrjeti i Baselit dhe zbuluan skandalin duke i bllokuar në një vend tjetër dhe po i kthejnë pas për të helmuar shëndetin e qytetarëve të Shqipërisë. Ajo që na shqetëson ne përveç mungesës së transparencës është shëndeti dhe rreziku i saj nga këto mbetje toksike. Ky është prokuroria që duhet të jetë këtu e gatshme për të sekuestruar kontinerët dhe të arrestojë personat që janë përfshirë drejtpërdrejtë këtu deri te ministrat", tha Bylykbashi.
Mbetjet toksike të cilat kaluan nga Porti i Durrësit drejt Tajlandës, mbi të cilat po hetojnë autoritet shqiptare bashkë me Olaf, thuhet se u nisën nga impianti 'Kurum' pranë metalurgjikut në Elbasan. Mbetjet toksike më pas i ka shitur tek kompania 'Sokolaj'. Më pas, 'Sokolaj' ia ka shitur këtë sasi simotrës së saj në Kroaci, GS Minerals D.o.o për 141 mijë dollarë, ndërsa kontejnerët janë nisur nga porti i Durrësit me destinacion fundor Tajlandën më 4 korrik 2024. Udhëtimi i kontejnerëve të dyshuar ka vënë alarmin në shumë vende që kur u ngarkuan në portin shqiptar të Durrësit në korrik. Tajlanda refuzoi të pranonte dërgesën pasi u njoftua për përmbajtjen e saj të rrezikshme nga grupet mjedisore. Pluhuri i furrës, i cili kërkon trajtim, është një produkt mbetjesh i rrezikshëm që zakonisht vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut dhe përmban okside metalike toksike si kadmiumi dhe kromi që janë të dëmshëm për shëndetin dhe mjedisin.
Autoritetet tajlandeze dhe rrjeti i Bazelit kanë konfirmuar zyrtarisht se Shqipëria nuk ka autorizuar zyrtarisht eksport mbetjesh. Ndërkohë çështja është në hetim nga Prokuroria e Durrësit, që po verifikon dokumentacionin e plotë dhe autorët e shkeljes së rëndë. Po ashtu, nga hetuesit në Shqipëri janë marrë edhe mostra nga "Kurum-i" për t'i krahasuar më pas me mostrat që do të merren nga konteinerët. /ZËRI