
TIRANË- Nëse ka një vend që ka më shumë persona me precedentë penal sesa një qeli burgu, ai është Dubai. Qyteti më i njohur dhe më popullori në Emiratet e Bashkuara Arabe, Dubai, është kthyer tashmë një parajsë për të gjithë ata që kanë ‘dosje të hapura’. Një prej tyre është edhe Durim Bami, i njohur gjerësisht si “i forti i Niklës”, që gjithashtu gjeti strehë si shumë të tjerë në Dubai…vetëm se për shumë pak kohë. Ai u vendosur në pranga vetëm pak ditë më parë për shkak të kërkesës së autoritetet shqiptare i bënë atyre në UEA për 45-vjeçarin.
Fillimisht u shoqërua vetë Bami, i vëllai i tij, Valteri dhe një mik i tyre i përbashkët, emri i të cilit nuk u mësua kurrë. Pas shoqërimit dhe kontrolleve të bëra në banesat e tyre, të gjithë u liruan veç Durim Bamit, i cili aktualisht ndodhet në qeli. Ndërkohë që fati i tij është ende i paqartë, autoritetetet shqiptare po shfrytëzojnë çdo rrugë për të bërë të mundur ekstradimin e tij, gjë që do ta kthente në të parin personazh që ekstradohej nga Dubai…duke hapur kështu rrugën për shumë të tjerë.
Durim Bami ka qenë gjithmonë një personazh i njohur për Policinë (sigurisht me ngjarjen kriminale ku edhe është përfshirë), por së fundmi, emri i tij ka qenë ndër kryesorët në dosjen më të fundit të kopsitur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas “zbërthimit” të aplikacioneve të enkriptuara, Durim Bami ishte një nga personazhet e shpallur në kërkim pasi akuzohej për disa vepra penale. Bami akuzohet për planifikimin e vrasjes së ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndokës, ushtarëve të Ervis Martinajt, Tori Xheçukës, dhe Erigers Mihasit. Nga 50 personat të përfshirë në këtë dosje, 16 prej tyre kishin thurur plane për vrasjen e vëllezërve Durim dhe Valter Bami, plan që nuk e finalizuan kurrë. Herë fati, e herë paaftësia e kundërshtarëve për të vepruar, i kursyen jetën të shumëkërkuarit që tashmë shpreson që Dubai të mos e pranojë kërkesën e Ministrisë së Drejtësisë Shqiptare për ekstradimin e tij.
Lidhur me këtë çështje, reagoi sot edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili u shpreh shpresëplotë për ekstradimin e Bamit.
“I kemi të gjitha instrumentet për ta vendosur para drejtësisë shqiptare”, kështu është shprehur ministri i Brendshëm, Taulant Balla kur u pyet në lidhje me ekstradimin e mundshëm të Durim Bamit nga Dubai.
Gjatë një prononcimi për mediat, ministri Balla ka thënë se janë në kontakt me autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara dhe se janë në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK për esktradimin e Bamit.
“Kjo është diçka për të cilën ne jemi në kontakt me autoritetet policore të Emirateve të Bashkuara Arabe me të cilët kemi një komunikim të shkëlqyer dhe që dua ta them shumë qartë se jemi në fazën e vlerësimit të dokumentacionit të përgatitur nga SPAK, nga pala e Emirateve të Bashkuara Arabe. Gjithë provat e paraqitura nga pala shqiptare, do të vlerësohen nga autoritetet gjyqësore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe unë jam i bindur se kjo qasje e krijuar se Emiratet apo Dubai është një oaz ku mund t’i shpëtosh përballjes me drejtësinë, dhe autoritetet e këtij vendi mik e kuptojnë qartë se raste si rastin që ju përmendët, i kemi të gjitha instrumentet për ta vendosur para drejtësisë shqiptare,”-tha Balla.
Por ky është vetëm qëndrimi i ministrit Balla! Deri më tani, nga Dubai është ekstraduar (me dëshirën e tij) vetëm Bruno Çobo, askush tjetër. Kjo për shkak të politikave të shtetit, i cili nuk ka marrëveshje ekstradimi me asnjë vend të Bashkimit Europian. Shumë personazhë shqiptarë kërkohen edhe nga vende të tjera, psh. Eldi Dizdari është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia prej disa vitesh, por ekstradimi i tij nuk ka gjasa që të ndodhë edhe pse konsiderohet si ‘koka’ e kartelit “Bello”, përgjegjës për trafikun e drogës. Një tjetër personazh që është kërkuar me ngulm nga drejtësia shqiptare ishte Florenc Çapja, një nga drejtuesit e një bande famëkeqe kriminale në qytetin e Elbasanit, apo dhe Plaurent Dervishaj, një nga personazhët më të njohur të bandës së Durrësit. Edhe pse prej kohësh kërkohen në Shqipëri, asnjë prej tyre deri më sot nuk është ekstraduar.
Por përse?
“Teknikisht, ata nuk refuzojnë ekstradimet. Kryejnë arrestime, por e zvarritin deri në atë pikë sa mbaron afati i paraburgimit dhe ata lirohen,”-bënte me dije një zyrtar i Policisë në një artikull për BIRN pak kohë më parë.
Praktikisht, pengesa më e madhe përsa i përket ekstradimit është mungesa e një traktati dypalësh ekstradimi mes Shqipërisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Ende sot nuk ka një traktat të tillë, por megjithatë autoritetet shqiptare duken shpresëplota dhe të vendosura që të kthejnë në atdhe të gjithë problematikët. Kështu, edhe ata, si të gjithë të tjerët mund të përballen me drejtësinë dhe të paguajnë me liri krimit që kanë kryer. Por deri atëherë duket se na pret një kohë e gjatë…/ZËRI