
TIRANË-Argita Malltezi ka deklaruar gjatë një konference për shtyp se bashkëshorti i saj, Jamarbër Malltezi po mbahet në arrest në mënyrë të paligjshme. Sipas saj, Jamarbër Malltezi nuk ishte subjekt i veprës penale për të cilën akuzohet lidhur me dosjen e ish-kompleksit Partizani.
“Arresti ndaj Jamarbër Malltezit ishte i paligjshëm në mënyrë të veçantë, sepse Jamarbër Malltezi, nuk ishte subjekt i veprës penale për të cilën akuzohet. Akuzohet për korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve vendorë dhe nuk ka qenë kurrë në jetën e tij, zyrtar i lartë, apo i zgjedhur vendor. Për rrjedhojë procedimi penal i tij dhe arresti, përbëjnë ndjekje pa ligj që është një shkelje flagrante kushtetutese dhe konventore. 4 gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, nuk u shqetësuan nga ky fakt. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që çështjen e Jamarbër Malltezit ta bashkojmë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut për ta përshpejtuar këtë proces. Në çdo rast ajo do të jetë një çështje që do i përcillet Strasburgut”, tha Malltezi.
Ndaj Jamarbër Malltezit, rëndojnë akuzat e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale” që lidhjen me privatizimin e ish-klubit Sportiv Partizani. Ndërkohë që ish-kryeministri Sali Berisha akuzohet për veprën penale të korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë./ZËRI