Aktualitet

20 ton mandarina bllokohen në Divjakë, AKVMB nis kontrollet, çfarë efekti ka pesticidi i ndaluar

Bashkimi Europian, klorperifosin dhe fosmetin i ka hequr nga përdorimi përkatësisht në vitin 2022 dhe 2020, kjo sepse këto dy preprata kishin efekte negative në shëndetin e njeriut.

F.I
20 ton mandarina bllokohen në Divjakë, AKVMB nis kontrollet,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Nga vendet ku janë eksportuar mandarinat, fruti është konsideruar si i palejushëm për t'u konsumuar pasi përmban nivel të rrezikshëm pesticidësh. Pas bllokimit nga AKU të mbi 20 ton mandarinave në pikën e grumbullimit për eksport në Divjakë, Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve ka nisur kontrollet në pikat e grumbullimit.

AKVMB po heton për të gjetur emrat e fermerëve që kanë prodhuar mandarinën në eksport. Emrat e preparateve të lejuara për përdorim nga fermerët janë në një listë të  Ministrisë së Bujqësisë në faqen e saj zyrtare. Lidhur me këtë, autoritetet u bënë thirrje fermerëve që të përditësohen vazhdimisht mbi këtë listë, e cila rishikohet çdo 3 muaj dhe preparatet që hiqen nga tregu cilësohen në detaje. Fermerët duhet të kenë një regjistër ku të shënohet lloji i pesticideve qe përdorin tek frutat dhe perimet.

Ndërkohë në kufirin me Kosovën ndodhet i bllokuar një kamion prej 9 tonësh me mandarina që nga dita e djeshme. Pronari i subjektit që ka porositur mandarinat, i kontaktuar me telefon, thotë se pika grumbulluese e Shqipërisë i ka të gjitha analizat, ai shtoi se parcelës së mandarinave ku edhe ka ngarkuar i janë bërë analiza edhe jashtë vendit dhe ka vijuar eksportin.

Ndërsa në informacionet e mara nga AUV Kosovë akoma nuk kanë ardhur përgjigjet e analizave laboratorike, të cilat janë dërguar por tu testuar jashtë Kosovës. Sipas praktikës kur mostrat dërgohen jashtë, përgjigjet vonojnë 5-7 ditë për të ardhur. Kjo vonesë sipas tregtarëve të mandarinave në Kosovë, nëse analizat dalin brenda parametrave do të shkaktoje prishjen e mandarinës dhe kostoja do të bie mbi ta, pohon njëri nga ta. Ndërkohë në Terminalin e Prishtinë janë ndaluar afro 8 kamion me ngarkesa të mandarinës shqiptare në pritje të rezultateve të analizave.

Efektet e pesticidit të ndaluar te mandarinat

Kloperifosi dhe fosmeti janë dy llojet e pesticideve që janë zbuluar në mandarinat që vijnë nga Shqipëria. Kloperifosi nuk është një pesticid që aplikohet për herë të parë në bujqësinë tonë, përkundrazi ka dy hipoteza se përse mandarinat e Konispolit, Lushnjës dhe Beratit dolën të ngarkuara me këto kimikate. 

Për shkak të përdorimit të klorperifosit në vitet e kaluara në këto territore mundet që këto mbetje janë përsëri në tokë ose ujë dhe kështu kalojnë në bimë, dhe një rrugë tjetër është qe fermerët të kenë përdor këto pesticide në spërkatje“- shprehet pedagogu Fredi Brahushi.

Bashkimi Europian, klorperifosin dhe fosmetin i ka hequr nga përdorimi përkatësisht në vitin 2022 dhe 2020, kjo sepse këto dy preprata kishin efekte negative në shëndetin e njeriut.

“Irritime të lëkurës, syve, marrje mendsh deri pastaj në veprime kronike që lidhen me ndikimet e tyre në sistemin hormonal me sistemin endokrin disa këto njihen dhe për veprime apo efekte mutagjene tek njeriu. “

Fermerët refuzojnë të përdorin ato kimikate që janë miqësore me mjedisin dhe sjellin më pak pasoja shëndetësore tek njeriu, sepse preferojnë të përdorin ato ilaçe të rrezikshme që luftojnë me shpejtësi insektet e bimës.

“Kanë një efektivitet më të lartë dhe kjo lidhet me shkallën e toksicitetit dhe ky toksicitet bën që të jetë më efektiv nga njëra anë. Por nga ana tjetër është ndikimi në mjedis dhe në shëndetin e njeriut.”

Futja e këtyre dy pesticideve bëhet nëpërmjet rrugës së kontrabandës dhe shitet nën dorë nga farmacitë bujqësore. Kjo nuk është hera e parë që produktet bujqësore të fermerëve tanë kthehen në vendin e origjinës për tu asgjësuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB