
SHQIPËRI- Sistemi Europian i Sigurisë Ushqimore ka ngritur alarm ndaj ngarkesave me mandarina që vijnë nga Shqipëria. Siç bëhet me dije nga njoftimi i shpërndarë nga vendet ku janë eksportuar mandarinat, fruti është konsideruar si i palejushëm për t'u konsumua. Kjo pasi vende si: Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania kanë bërë analizat dhe kanë vënë re se në frut ka mbetje të disa substancave të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara për tregtim në BE.
"Konkretisht, mbetje të larta të pesticideve chlorpyrifos dhe phosmet, që si efekte anësore kanë ndikimin në zhvillimin e trurit tek fëmijët, çrregullime të sistemit nervor dhe atij endokrin, si dhe rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe kancer,"-shkruan 'Top Channel'. Pra, mbetjet e pesticideve rezultojnë nga analizat 3 deri në 12 herë më të larta nga sa e lejojnë rregulloret europiane.
Për këtë çështje ka reaguar edhe presidenti i Urdhrit veterinar, Ervin Resuli, i cili në rrjetet e tij sociale shkruan se pesticidet “Chlorpyrifos” dhe “Phosmet” janë gjetur në të paktën 3 ngarkesa në Kroaci. Në denoncimin e bërë nga Resuli, mallrat janë eksportuar, pa u kontrolluar nga Ministria e Bujqësisë. Por edhe tani që denoncimi është bërë publik, nuk dihet se çfarë ka ndodhur me këto ngarkesa, a janë asgjesuar sipas ligjit, apo kanë përfunduar në tregun vendas.
Postimi i plotë:
Gjatë periudhës 29 nëntor - 11 dhjetor 2024, sistemi europian i sigurisë ushqimore RASFF ka raportuar tre raste të ndotjes me mbetje të pesticideve Chlorpyrifos dhe Phosmet në ngarkesa mandarinash me origjinë nga Shqipëria. Këto substanca janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut dhe të ndaluara në Bashkimin Europian për shkak të dëmeve të tyre afatgjata. Detajet nga raportet RASFF: 1. 29 nëntor 2024 – Chlorpyrifos në mandarina. Ngarkesa është zbuluar në Kroaci; 2. 11 dhjetor 2024 – Phosmet në mandarina. Ngarkesa është identifikuar në Kroaci; 3. 11 dhjetor 2024 – Chlorpyrifos në mandarina. Ngarkesa është raportuar nga Kroacia me ndalesë të mëtejshme në Itali dhe Republikën Çeke. Të gjitha këto raste janë EC-validated, që do të thotë se janë verifikuar si të sakta dhe përmbajnë mbetje të larta të këtyre pesticideve. Çfarë është Chlorpyrifos? Chlorpyrifos-ethyl është një pesticid që: Ndikon në zhvillimin e trurit tek fëmijët, veçanërisht në fazat e hershme të jetës. Shkakton dëmtime të sistemit nervor dhe çrregullime të sistemit endokrin. Rrit rrezikun për sëmundje kardiovaskulare dhe kancer. Chlorpyrifos është ndaluar plotësisht në BE për përdorim dhe tregtim me Rregulloren Implementuese të Komisionit 2020/18/BE, datë 10 janar 2020, e cila hyri në fuqi më 16 shkurt 2020. Në Shqipëri, ndalimi i përdorimit të tij është bërë me Urdhrin e Ministrit Nr. 26, datë 22.1.2020, ku përcaktohet se: "Të kryhet çregjistrimi i produkteve të mbrojtjes së bimëve që përmbajnë Chlorpyrifos brenda datës 16 shkurt 2020". Çfarë po ndodh në Shqipëri? Ndërkohë që legjislacioni shqiptar është harmonizuar me atë të BE-së, realiteti në terren tregon një mungesë totale të mbikëqyrjes dhe transparencës. Ngarkesat e bllokuara nga BE tregojnë se këto pesticide ende qarkullojnë dhe përdoren në vend. Ministria e Bujqësisë nuk ka bërë publik asnjë njoftim nëse këto produkte janë konsumuar në tregun vendas apo janë asgjësuar sipas ligjit. Tregtarët dhe fermerët vazhdojnë të përdorin produkte të ndaluara, duke rrezikuar shëndetin publik dhe reputacionin e eksporteve shqiptare. Pse ky skandal është i rëndë? Këto raste tregojnë qartë një dështim të sistemit të kontrollit të produkteve ushqimore nga autoritetet shqiptare. Për më tepër: 1. Ministria nuk ka informuar publikun për rrezikun e konsumit të këtyre mandarinave. 2. Nuk dihet nëse produktet janë bllokuar dhe groposur, apo kanë përfunduar në tavolinat e qytetarëve shqiptarë. 3. Eksportet e produkteve shqiptare po dëmtohen në tregjet europiane për shkak të mbetjeve të pesticideve të ndaluara. Kërkohet transparencë publike dhe masa të menjëhershme! A janë konsumuar këto ngarkesa në tregun vendas? Çfarë masash janë marrë për ndalimin e importit dhe përdorimit të produkteve që përmbajnë Chlorpyrifos? Pse nuk ka transparencë për asgjësimin e tyre sipas ligjit? Kjo është një çështje e shëndetit publik dhe nuk mund të neglizhohet. Ministria e Bujqësisë duhet të mbajë përgjegjësi për këtë skandal dhe të garantojë sigurinë e produkteve që tregtohen brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Nga ana tjetër, ministria e Bujqësisë deklaroi se bëhet fjalë për tre ngarkesa me Mandarina clementine të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. Ministria njofton se dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës. Ndërsa njëra prej këtyre ngarkesave është dërguar nga AKU – Pika e Inspektimit Kufitar, në subjektin eksportues dhe ngarkesa është asgjësuar nga fermerët e fshatit Gorican në Dimal.
“Në kuadër të transparencës për publikun Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njofton konsumatorin vendas se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit menjëherë pas marrjes së njoftimit nga Sistemi i Njoftimit të Shpejtë për Ushqim dhe për Ushqim për Kafshë – RASFF ka nisur verifikimet dhe gjurmimin nëpërmjet Drejtorive Rajonale për evidentimin dhe marrjen e masave lidhur me ngarkesat e eksportit të produktit mandarinë të kthyera mbrapsht. Konkretisht, bëhet fjalë për tre ngarkesa me Mandarina clementine, të eksportuara nga subjektet grumbulluese ushqimore me vendndodhje në Berat dhe Fier. Dy prej ngarkesave kanë mbërritur në vendin e origjinës. Njëra prej këtyre ngarkesave është dërguar nga AKU – Pika e Inspektimit Kufitar, në subjektin eksportues dhe ngarkesa është asgjësuar nga fermerët me adresë Fshati Gorican, Bashkia Dimal, Qarku Berat dhe Fshati Mursi, Bashkia Konispol, Qarku Vlorë. Pas gjurmimit dhe marrjes së informacionit shoqërues, sqarojmë se analizimi laboratorik me Nr. 24112916.001, në datën 14.11.2024 me qëllim autokontrollin nga ana e subjektit eksportues është kryer në një laborator në Bari të Italisë. Sipas raport provës produkti ka rezultuar konform në lidhje me nivelin e mbetjes së pesticideve.
Ngarkesa tjetër gjendet aktualisht e bllokuar në subjektin grumbullues të ndodhur në Qarkun e Fierit dhe procedura e asgjësimit të produkteve do të kryhet nga ky Operator i Biznesit Ushqimor në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Tatimeve, Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe Autoritetin Kombëtar të Mjedisit. Kjo ngarkesë nuk është shoqëruar me një raport laboratorik, pasi nuk është detyrim ligjor për subjektet eksportuese, të cilat e kryejnë këtë proces ne kuadër të vetë kontrollit. Ngarkesa e tretë e njoftuar me mbetje mbi normë të Produkteve të Mbrojtjes së Bimëve, ende nuk ka mbërritur në Republikën e Shqipërisë. As kjo ngarkesë nuk ka qenë e shoqëruar me një fletë analize. Lidhur me ngarkesën e parë të përmëndur më sipër, bëjmë me dije se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë menjëherë masa për kundravajtjet administrative në subjektin përkatës që ndodhet në Berat duke gjobitur dhe bllokuar aktivitetin e subjektit për moszbatim të legjislacionit në fuqi. Në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve po mbikqyren dhe merren masa për fermerët, të cilët kanë përdorur produkte për Mbrojtjen e Bimëve të ndaluara në Republikën e Shqipërisë.
Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave 335, datë 6.6.2018 “Për miratimin e rregullave për regjistrimin, të procedurës dhe kritereve të vlerësimit të produkteve për mbrojtjen e bimëve” Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural përditëson listat e produkteve të lejuara sipas rekomandimeve të Rregulloreve të Bashkimit Europian. Ky rast, i cili është në kundërshtim me përcaktimet ligjore në fuqi, do të referohet pranë Institucioneve Ligjzbatuese. Drejtoria e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit ka marrë masa të menjëhershme duke ngritur grupe pune për analizimin, vlerësimin e situatës mbi koordinimin për ndjekjen e veprimeve proceduriale në secilën hallkë të zbatimit të kontrollit zyrtar të rastit. Siguria ushqimore është një sfidë e përbashkët, gjejmë rastin të tërheqim vëmendjen e cdo fermri dhe prodhuesi shqiptar të përmbushin detyrimet ligjore, si dhe të respektojnë praktikat e mira të punës në gjithë zinxhirin e prodhimit në fermë duke përdorur vetëm produkte të lejuara, nën mbikqyrjen e profesionistëve dhe respektimin e kohës së karencës, për të garantuar prodhim vendas të sigurt për konsumatorin shqiptar dhe tregjet ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Bujqësisë. /ZËRI