
TIRANË-Një sasi e madhe ilaçesh janë sekuestruar, pasi pesë shqiptarë të Kosovës tentuan t’i kontrabandojnë në vendin tonë. Pesë shqiptarë e Kosovës u arrestuan të hënën në aeroportin e Rinasit. Raportohet se të arrestuarit janë të njohur me njëri-tjetrin, dy vëllezër Bekim e Ferat Zenuni, si dhe kushërinjtë e tyre, Ardian Ismajli, Andi Grabanica dhe Altin Maqastena.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave kishte sinjalizuar mbërritjen e mallrave kontrabandë nga Stambolli, duke bërë të munduar sekuestrimin e mbi 1 milion tabletave ilaçe dhe 300 mijë euro CASH. Megjithatë policia ka dyshime të tjera sa i përket tabletave që ishin blerë në Jordani. Sipas policisë destinacioni i tyre final ishte Kosova por ëllimi parësor i tyre nuk ishte të shërbenin si ilaçe. Madje dyshohet se qëllimi i tyre kishte përgatitjen e lëndëve narkotike.
Në 14 valixhe u gjet i njëjti ilaç i emërtuar “Unifed”, i cili sipas përshkrimit mjekësor përdoret për të lehtësuar simptomat e ftohjes dhe alergjive, por grupi hetimor nuk është i bindur.
Policia ka ngritur dyshime edhe ne deklarimet e të arrestuarve, aspak bindëse. Për më tepër, në dosjen e vendimin të masës së sigurisë, thuhet se asnjëri prej tyre nuk është farmacist në profesion dhe nuk janë të licencuar në fushën e tregtimit të import-eksportit të barnave në vendin tonë.
Njëri prej të prangosurve, Bekim Zenuni thotë se barnat ia ka dhënë një jordanez me emrin Mohamed dhe sipas tij në Kosovë do i merrte dikush tjetër, pa dhënë emra dhe detaje, njëjtë si vëllai dhe kushërinjtë e tjerë. Edhe 300 mijë eurot u gjetën në çantën e Zenunit, të cilat ai i justifikon se ia ka marrë borxh një mikut të tij turk, për biznes, por nuk ka mundur t’i deklaroj në doganë pasi policia e shoqëroi sapo zbriti nga avioni.Të tjerët pretenduan se nuk kishin dijeni se Zenuni kishte para në çantë.
Ndërkohë, hetuesit kanë sekuestruar 6 celularë, të cilët po ekzaminohen me qëllim zbardhjen e personave të tjerë që janë të përfshirë në këtë rrjet. Për momentin, të gjithë janë në akuzë për kontrabandë me mallra të licencuar, përveç Bekim Zenunit, i cili akuzohet edhe për pastrim të produkteve penale dhe mosdeklarim të të hollave në kufi./ZËRI