Aktualitet

Abuzim me tenderin 143 mln lekë/ GJKKO shpall të pafajshëm 3 punonjësit e UKT-së, dënon 6 muaj burg biznesmenin

Për shkak se Shemaj përfiton nga gjykimi i shkurtuar, biznesmenit i ulet 1/3 e dënimit dhe u dënua përfundimisht me 4 vite burg.

k.m.
Abuzim me tenderin 143 mln lekë/ GJKKO shpall të pafajshëm 3
Foto ilustruese

TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit shpalli të pafajshëm 3 punonjësit Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë. Në vendimin e marrë, Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm Ledia Ramon, Ortjon Dhami, Engjëll Dedja, punonjës të UKT për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike”. Ata u akuzuan nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera. Ndërsa vendosi për 6 muaj burg Bledar Shemaj. Për këtë të fundit, GJKKO pushoi akuzën për “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve” dhe la vetëm "Falsifikimi i dokumenteve”. Por për shkak se Shemaj përfiton nga gjykimi i shkurtuar, biznesmenit i ulet 1/3 e dënimit dhe u dënua përfundimisht me 4 vite burg.

NJOFTIM PËR MEDIAT:

1. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: "Gjykimin e çështjes penale me Nr. 161 procedimi të vitit 2020, ndaj të pandehurve: Ledia Ramo, Ortjon Dhami, Engjëll Dedja, të akuzuar për kryerjen e veprës penale "Shkelja e barazisë në tendera apo ankande publike" parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal dhe Bledar Shemaj, i akuzuar për kryerjen e veprave penale "Falsifikim i vulave, stampave ose i formularëve" parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal dhe "Falsifikim i dokumentave" parashikuar nga neni 186/1 i Kodit Penal".

2. Gjykimi i kësaj çështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Rudina Palloj, Etleva Deda dhe Bib Ndreca, me vendimin Nr. 78, datë 20.12.2024 vendosi:

1. Deklarimin e pafajshme të të pandehurës Ledia Ramo, akuzuar për kryerjen e veprës penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal, ne referim të nenit 388, pika 1. shkronja b) të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale.

2. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Ortjon Dhami, akuzuar për kryerjen e veprës penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal, ne referim të nenit 388, pika 1, shkronja b) të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale.

3. Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Engjëll Dedja, akuzuar për kryerjen e veprës penale "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", në bashkëpunim, parashikuar nga neni 258 (para ndryshimeve me ligjin nr. 43/2021) në lidhje me nenin 25 të Kodit Penal, ne referim të nenit 388, pika 1, shkronja b) të K.Pr.Penale, pasi fakti nuk përbën vepër penale.

4. Pushimin e akuzës ndaj të pandehurit Bledar Shemaj, për veprën penale "Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve", parashikuar nga neni 190 pg 1 i Kodit Penal, në zbatim të neneve 387 pg 1 dhe 328, pg 1, të K.Pr. Penale.

5. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bledar Shemaj, për kryerjen e veprës penale "Falsifikimi i dokumenteve", parashikuar nga neni 186, pg 1 i Kodit Penal, dhe në bazë të këtij neni dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.

6. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Bledar Shemaj i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 4 (katër) burgim.

7. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënia në provë e të pandehurit Bledar Shemaj për një periudhë kohe prej 8 (tetë) muajsh, me kusht që i pandehuri të mos kryejë vepër tjetër penale dhe gjatë kohës së provës të mbajë kontakte me Shërbimin e Provës që mbulon vendbanimin e tij.

8. Në bazë të nenit 190 të K.Pr. Penale, provat materiale të bashkuara me fashikullin mbeten pjesë e dosjes.

9. Në bazë të nenit 391 të K.Pr.Penale, dokumenti "Kontratë pune me datë 01.01.2019 me punëdhënës Shoqëria "ë.Center" sh.pk dhe punëmarrës shtetasi OB", deklarohet i falsifikuar.

10. Shpenzimet procedurale të bëra gjatë hetimeve paraprake, sipas procesverbalit për evidentimin e shpenzimeve të hetimit, dhe ato gjyqësore, sipas procesverbalit përkatës për evidentimin e shpenzimeve gjyqësore, në referim të neneve 393/1 dhe 285/1 të K.Pr.Penale, i ngarkohen të pandehurit të cilët deklaruar fajtor me këtë vendim. 11. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zbatimin e këtij vendimi. 12. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëdhjetë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit të arsyetuar, Tiranë, më datë 20.12.2024

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar

SPAK dërgoi dosjen ndaj të pandehurve në GJKKO në 9 maj 2024. Sipas SPAK, Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, punonjës të shoqërisë tregtare “Ujësjellës Kanalizime” sh.a., dega Tiranë, kishin marrë pjesë si anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave dhe më pas, si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në procedurat për prokurimin me objekt “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a”, me procedurë të hapur marrëveshje kuadër, të datës 11.01.2019, me vlerë 143.618.333 lekë pa TVSH.

Ata akuzoheshin se gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave kanë ndryshuar njërin nga specifikimet, që kishte të bënte me figurimin në listëpagesa të një punonjësi manovrator të mjeteve të rënda (duke e hequr si kërkesë), për qëllime të favorizimit të shoqërisë “ë Center” sh.p.k, me numër nipti K63029402A, me ortak e administrator të pandehurin Bledar Shemaj./ZËRI

Poll

MOS HUMB