TIRANË- Një telefonatë anonime për një bombë në shkollën “Emin Duraku” ka alarmuar policinë e Tiranës. Shërbimet e Policisë janë vënë menjëherë në lëvizje dhe ka nisur kontrollet, nga të cilat rezultoi se në ambientet e shkollës nuk kishte asnjë bombë apo lëndë shpërthyese, dhe telefonata rezultoi të ishte një alarm i rremë.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se 47-vjeçari Edmond Jatagani ka telefonuar rreth orës 06:30, duke pretenduar për terrorizëm në shkollën 9-vjeçare. Sipas bulve të kryeqytetit, nga verifikimet rezulton se 47-vjeçari e kishte publikuar informacionin e rremë edhe në rrjete sociale.
Ndërkohë, sipas burimeve, mësohet se pas arrestimit, 47-vjeçari ka deklaruar se telefonata ishte bërë prej tij për të provuar se sa shpejt do të reagonte Policia.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Njësisë Antiterror arrestuan për veprat penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit” dhe “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, shtetasin M. J., 47 vjeç.
47-vjeçari dyshohet se, rreth orës 06:30 të datës 14.09.2026, ka telefonuar Policinë e Tiranës, duke pretenduar për terrorizëm dhe lëndë të shkatërrimit në masë, në një shkollë 9-vjeçare.
Menjëherë pas telefonatës, në shkollën e sinjalizuar, shërbimet e Policisë, Njësia Antieksploziv dhe Njësia Antiterror kanë kryer veprimet e nevojshme verifikuese, nga të cilat rezultoi se informacioni ishte i rremë dhe se nuk kishte lëndë të tilla të rrezikshme.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se shtetasi M. J. e ka publikuar këtë informacion të rremë edhe në rrjetet sociale.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, sipas burimeve, mësohet se pas arrestimit, 47-vjeçari ka deklaruar se telefonata ishte bërë prej tij për të provuar se sa shpejt do të reagonte Policia.
Po ashtu, ai ka publikuar një video në rrjetet e tij sociale, pasi kishte telefonuar Policinë.
“Atëherë, sapo mora Policinë e Shtetit te 112, për të denoncuar faktin për terrorizëm me lëndë shkatërrimi në masë në shkolla. Jam te shkolla “Emin Duraku” për të denoncuar faktin e terrorizmit. Të shikojmë për sa do të vijë dhe uroj çdo prind të bëjë të njëjtin veprim për të ruajtur fëmijën e vet. Jam në kryqëzimin e shkollës, ta shikojmë për sa vjen patrulla për terrorizëm në shkolla. Ja shikoni, lulet janë gati për mësuesit! Dera është e mbyllur! Trafik nuk ka, rrugët janë bosh…Policia sapo zgjoi rojen e shkollës. Qenka një familjar. Kanë kaluar rreth 2 minuta dhe Policia nuk duket akoma. Trafik nuk ka, rrugët bosh! Terrorizëm në shkolla”, shprehet ai në video.
Nga të dhënat, Jatagani rezulton i shoqëruar disa herë nga policia në lidhje me aktet dhe thirrjet për dhunë gjatë protestave. Ndërkohë, ngjarja vjen në një ditë të veçantë për mijëra nxënës, pasi këtë të hënë, mbi 340 mijë nxënës janë ulur në bankat e shkollës./ZËRI