TIRANË- Procesi për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm ka ngelur pezull për shkak të ngërçit të krijuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Në përplasjet e krijuara brenda KLP-së është shtuar edhe një kërkesë e re për përjashtimin e një prej anëtarëve nga shqyrtimi i kandidaturave.
Sipas burimeve, Arta Marku, e cila synon për herë të dytë postin e Prokurores së Përgjithshme, ka kërkuar që anëtari i KLP-së, Sokol Stojani, të tërhiqet nga procesi i vlerësimit të saj. Kandidatja Marku pretendon se ka konflikt interesit dhe sipas saj, Stojani nuk do të mund ta ruajë paanshmërinë gjatë vlerësimit, pasi në kohën kur ishte Prokurore e Përgjithshme, ajo e kishte larguar atë nga drejtimi i strukturës së hetimit.
Por, kjo nuk është kërkesa e parë për tërheqjen e një anëtari të KLP-së. Më herët janë kërkuar edhe dorëheqje të tjera të anëtarëve nga vetë anëtarët e KLP-së, duke e komplikuar më tej procesin e përzgjedhjes. Gjatë një mbledhjeje në gusht, Ylli Pjetërnikaj kërkoi përjashtimin e anëtarit Vatë Staka, për konflikt interesi. Por, situata u komplikua edhe më shumë kur Staka kërkoi përjashtimin e anëtarit Zeqir Hodo nga shqyrtimi i kërkesës së Pjetërnikajt.
Kërkesat dhe përplasjet e krijuara kanë po mbajnë pezull procesin për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë së Përgjithshme. Emrat e 5 kandidatëve nuk janë dërguar ende në ILDKPKI për verfikimin e pasurisë, ndërkohë që afati për përfundimin e procedurës është java e parë e dhjetorit.
Për postin e Prokurorit të Përgjithshëm garojnë 5 kandidatët: Adnan Xholi, Arta Marku, Fatjona Memçaj, Rovena Zoto dhe Ylli Pjetërnikaj. Pas vlerësimit të tyre, KLP do të përzgjedhë tre kandidaturat më të forta dhe do t’ia përcjellë Kuvendit, i cili do të vendosë përmes votimit emrin e drejtuesit të ri të Prokurorisë së Përgjithshme./ZËRI