TIRANË-Shqipëria është vendosur në alarm, pas një paralajmërimi për bombë në institucionet e disa qyteteve të vendit. Policia e Shtetit ka njoftuar se mëngjesin e sotëm është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë. Gjykata, Bashki, Prokurori, Spitale si edhe disa institucione të tjera kanë marrë mesazhin: “Kujdes, kemi vendosur bombë”.
Policia e Shtetit ka nisur menjëherë kontrollet ku njësia Speciale Operacionale e Policisë së Vlorës ka kryer kontrolle të imtësishme në ambientet e institucioneve, përfshirë edhe kontrollet për lëndë apo pajisje shpërthyese. Në Tiranë efektivë të Antiterrorit kanë zbarkuar me qen e mjete të specializuara në ambientet e SPAK dhe GJKKO pas alarmit për bombë. Edhe në Fier patrulla policie janë vendosur pranë të gjitha institucioneve. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Njoftimi i policisë:
Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste, në të cilin pretendohet se në këto institucione është vendosur një bombë.
Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni, strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë të gjitha verifikimet e nevojshme në institucionet e përfshira në këtë kërcënim. Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi.
Ndërkohë, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vijojnë punën intensive për identifikimin e autorit dhe të adresës elektronike nga e cila janë dërguar këto kërcënime.