TIRANË-Kryetari i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, profesor doktor Maksim Haxhia, njëherësh avokat i Ergys Agasit, ka vizituar sot në ambjentet e Bllokut të Sigurisë biznesmenin. Avokat Haxhia pas takimit me Agasin në një deklaratë për mediat është shprehur se klienti i tij pretendon se nuk ka prekur financat publike pasi nuk ka mbajtur funksione të autoriteteve që menaxhojnë financat publike, as lidhur me tenderat. Haxhia ka kërkuar dosjen hetimore lidhur me Agasin, ndërsa sipas tij ka qenë media ajo që e ka fryrë çështjen.
Avokati Maks Haxhia: Ky është një takim i parë dhe po përgatitemi për procesin që është në ditët e afërta lidhur më arrestin dhe kushtet e arrestimit. Kuptohet që ne duam dosjen, sepse është e turpshme që edhe pas kaq kohësh që e kemi kërkuar, kjo nuk ka ndodhur,. Pa dosjen nuk ngremë dot pretendimet. Agasi pretendon se është jashtë çdo ngarkesë juridike pasi nuk ka prekur financat publike pasi nuk ka mbajtur funksione të autoriteteve që menaxhojnë financat publike, as lidhur me tenderat. Media e ka fryrë dhe zbadhur çështjen. Këta të fusin në burg pastaj të bëjnë hetimet. Si ajo historia që të marrin të presin këmbën e pastaj të numërojnë i ke apo jo të dyja këmbët.
Ergys Agasi u arrestua mbrëmjen e 26 gushtit. Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit dhe e ndoqën atë deri në zonën e Plepave në Durrës, ndërsa në makinë ndodhej po ashtu edhe ish-polici i shpallur në kërkim, Uljan Shpataraku. ZËRI ndau pamjet hap pas hapi nga arrestimit i tij, deri në shoqërimin në ambjentet e Bllokut të Sigurisë në Tiranë.