TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni për kapjen e biznesmenit Ergys Agasi, i cili ndodhej në kërkim prej tetë muajsh i akuzuar si kreu i grupit të strukturuar kriminal, që qëndronte në krye të skemës së abuzimit me tenderat e AKSHI-t. ZËRI ka siguruar imazhin ku Agasi i shoqëruar nga ish-zyrtari i Policisë, Uljan Shpataragu kanë tentuar të arratisen drejt Shkozetit.
Në foto shihet audi luksoz rS8 teksa tenton të thyjë postbllokun e ngritur për kapjen e tij, teksa shihet se një efektiv i shqiponjave u ka dalë përpara me Kallashnikov në aksin Golem-Plepa.
ZËRI raportoi mbrëmjen e djeshme se Agasi ishte duke udhëtuar me një mjet tip 'Audi' nga Elbasani në drejtim të qytetit bregdetar të Durrësit, kur u vendos në ndjekje në një operacion të përbashkët nga SPAK dhe Policia e Durrësit. Forcat Operacionale dhe Policia e Durrësit e kishin konstatuar makinën e Agasit që në qytetin e Elbasanit, ndërsa arrestimi i tij u finalizua në zonën e Plepave në Durrës.
SPAK njoftoi se arrestimi i Agasit u realizua pas një pune disajavore të strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Agasi akuzohet për të paktën 7 vepra penale, mes të cilave grup i strukturuar kriminal, “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Më vonë atij iu shtua edhe akuza e ‘korrupsionit’.