ITALI- Gjykata e Apelit në Bolonjë ka ndryshuar dënimin për të riun që ishte vetëm 15 vjeç në momentin e ngjarjes, duke e zbritur atë nga 17 në 15 vite burg për vdekjen e 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila. Vendimi ka shkaktuar pakënaqësi te familja e vajzës, e cila ka kundërshtuar uljen e dënimit. Avokati i nënës së Aurorës Emilio Malaspina tha se familjarët janë veçanërisht të zhgënjyer nga vendimi dhe nga qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme për një dënim më të ulët.
“Aurora ishte 13 vjeçe, viktima më e re e femicidit në Evropë”, deklaroi Malaspina.
Aurora Tila humbi jetën më 25 tetor 2024 në Piacenza, pasi u hodh nga ballkoni. Ngjarja tronditi opinionin në Itali dhe vijon të jetë në qendër të një debati të fortë mbi mënyrën se si trajtohen nga drejtësia rastet e dhunës ndaj vajzave të mitura.
Pas vendimit nëna e 13-vjeçares Morena Corbellini shprehu publikisht duke kritikuar ashpër sistemin e drejtësisë dhe masën e dënimit.
“Presim atëherë që numri i femicideve të ulet? Ato vetëm do të rriten. Edhe të miturit do të vrasin gjithnjë e më shumë, derisa vendi të ndërhyjë me forcë dhe në mënyrën e duhur”, u shpreh ajo.
Familja e viktimës e konsideron vendimin e Apelit të pamjaftueshëm dhe shpreh shqetësimin se dënimet e tilla nuk japin një përgjigje të mjaftueshme ndaj rasteve të rënda të dhunës.
Aurora Tila humbi jetën në tetor të vitit 2024, pasi ra nga kati i shtatë i pallatit ku banonte në Piacenza. Në momentin e ngjarjes, me të ndodhej një djalë 15-vjeçar, i cili fillimisht mohoi përfshirjen dhe pretendoi se bëhej fjalë për vetëvrasje.
Fillimisht në media u raportua se Aurora Tila u vetëhodh nga kati i 7 ku jetonte. Por, motra e saj hedhi akuza të forta ndaj të dashurit të 13-vjeçares, duke pretenduar se ai e ka shtyrë dhe më pas ka larë duart dhe ka telefonuar policinë.
Hetimet vijuan për të zbardhur rrethanat e vdekjes së 13-vjeçares, ndërsa tashmë, gjatë procesit gjyqësor, i riu ka pranuar se ishte ai që e shtyu Aurorën nga ballkoni./ZËRI
