ITALI-Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e të miturës shqiptare në Itali, ku ish-i dashuri i saj rezulton të jetë autori i krimit. Ngjarja tragjike ka ndodhur më 25 tetor 2024 në Piacenza, ku 13-vjeçarja Aurora Tila humbi jetën pasi u shty nga ballkoni.
Bisedat që vajza kishte zhvilluar me inteligjencën artificiale ChatGPT janë përdorur si prova të rëndësishme në gjyq, raportojnë mediat e huaja. Ajo kishte kërkuar këshilla për marrëdhënien e saj, duke shprehur dyshime nëse duhej t’i jepte fund dhe si të dallonte një lidhje të shëndetshme nga një toksike.
Gjykata e të Miturve në Bolonjë dënoi me 17 vite burg ish-të dashurin e saj, i cili në atë kohë ishte 15 vjeç. Hetimet zbuluan se marrëdhënia mes tyre ishte e mbushur me presion, kontroll dhe sjellje kërcënuese nga ana e tij, duke e bërë vajzën të ndihej e frikësuar për sigurinë e saj.
Sipas vendimit, i riu kishte shfaqur xhelozi ekstreme dhe posesivitet, madje duke përdorur fraza kërcënuese. Edhe pse paramendimi nuk u vërtetua plotësisht, ai i kishte treguar një shoku një ditë para ngjarjes se kishte ndërmend ta vriste. Mesazhet që i kishte dërguar viktimës për takimin e fundit u konsideruan manipuluese, duke e bindur atë të takohej me të, ndoshta me shpresën për të qetësuar situatën. Por në fakt, sipas gjykatës, ai kishte planifikuar ta përdorte atë takim për të kryer krimin.
Fillimisht në media u raportua se Aurora Tila u vetëhodh nga kati i 7 ku jetonte. Por, motra e saj ka hedhur akuza të forta ndaj të dashurit të 13-vjeçares. Ajo pretendon se 15-vjeçari me inicialet M.S., e ka shtyrë 13-vjeçaren dhe më pas ka larë duart dhe ka telefonuar policinë./ZËRI

