Aktualitet

Bllokimi i pagave të magjistratëve, gjyqtarja Caco: Kemi kredi dhe fëmijë për të ushqyer

Në reagimin e saj, Caco përmend pagesat e kredive, shpenzimet familjare dhe nevojat e fëmijëve.

M.K.
Bllokimi i pagave të magjistratëve, gjyqtarja Caco: Kemi kredi dhe
Afërdita Caco

TIRANË- Gjyqtarja e Gjykatës Administrative, Afërdita Caco ka shprehur publikisht në rrjetet sociale shqetësimin e saj për vonesën e pagesave, duke vënë në dukje vështirësitë që kjo situatë krijon për familjet e tyre. Në reagimin e saj, Caco përmend pagesat e kredive, shpenzimet familjare dhe nevojat e fëmijëve. Gjyqtarja kritikon gjithashtu nismat ligjore të cialt sipas saj, bien ndesh me parimet kushtetuese, duke theksuar se asnjë ligj nuk mund të qëndrojë mbi Kushtetutën.

Postimi i Afërdita Cacos:

Paga e gjyqtarit nuk mund të ulet, po ama mund të bllokohet fare, kështu që mos paguash kredi, ushqime, veshmbathje për fëmijët meqë fillon shkolla, se shteti i së drejtës për disa do të thotë legjislativi, ekzekutivi dhe drejtësia duhet të jenë në duart e një personi. Miratimi i një tjetër ligji antikushtetues veçse sa zgjat kalvarin e padrejtësisë, po nuk e bën ligjin mbi Kushtetutën, (veçse në librin për fëmijë Il paese all’incontrario – nga L. Ravera). Kushdo që konsideron se mund të qëndrojë mbi Kushtetutën, nuk reflekton mjaftueshëm.

PS: Do vazhdojmë të kryejmë detyrën me përgjegjësinë maksimale edhe në kushte të vështira e të paprecedentë, duke iu bindur me besnikëri Kushtetutës e pastaj ligjeve.

Me ndryshimin e pagave nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, magjistratët po përballen me mungesën e rrogave. Zbatimi i pagave me ndryshimet e reja ishte parashikuar nga 1 gushti 2026, por ekzekutimi financiar nuk është kryer për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë. Prej tre ditësh, situata me pagat ka sjellë ndërprerje të shërbimeve në Gjykatën e Tiranës. Bojkoti është shtrirë edhe në disa gjykata të tjera, në Vlorë, Fier dhe Lushnje. Kjo situatë u krijua pasi Kuvendi nuk miratoi brenda afatit 31 korrik, formulën e re të pagave të magjistratëve, pas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese./ZËRI

Poll

MOS HUMB