SHKODËR-Një kontroll i befasishëm është zhvilluar në ambjentet e burgut të Shkodrës, nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Gjatë kontrolleve në dhomën ku vuan dënimin shtetasi i burgosur S.Gj., u konstatuan dhe u sekuestruan, një celular dhe dy qese me lëndë narkotike të dyshara të llojit cannabis sativa.
Lidhur me rastin është kryer arrestimi në flagrancë i të burgosurit, në qelinë e të cilit u gjet celulari dhe lënda narkotike, ndërsa janë proceduar në gjendje dy efektivë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
NJOFTIMI:
Në vijim të kontrolleve të kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në IEVP të ndryshme të vendit, sot në datën 10.09.2026, në orët e para të mëngjesit është ushtruar kontroll në IEVP Shkodër, nga ku në dhomën ku vuan dënimin shtetasi i burgosur S.Gj., janë konstatuar 1 (një) aparat celular dhe 2 (dy) qese të tejdukshme, në brendësi të të cilave gjenden lëndë narkotike të dyshara të llojit cannabis sativa.
Në përfundim të kryerjes së veprimeve të para procedurale nga AMSEVP është kryer arrestimi në flagrancë i të burgosurit S. Gj., për veprat penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të parashikuara nga nenet 324/a dhe 283 të Kodit Penal.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë:
1-Shtetasi i burgosur E. B., për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, e parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal;
2-Shtetasi F. D. me detyrë punonjës policie në IEVP Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
3-Shtetasi A. Ll. me detyrë punonjës policie në IEVP Shkodër, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Materialet procedurale do dërgohen për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.
