Aktualitet

Iu zhvatën 7 mln euro shtetasve gjermanë, SPAK thellon hetimet për “Bluenergycall”, ekzekuton 8 masa sigurie, 3 në kërkim

Sipas hetimit, viktimat depozitonin paratë në llogari bankare në vende të ndryshme, përfshirë Bullgarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Qipron.

F.I
Iu zhvatën 7 mln euro shtetasve gjermanë, SPAK thellon hetimet
foto ilustruese

TIRANË-SPAK ka thelluar hetimet lidhur me grupin e mashtrimit përmes Call Center-it “Bluenergycall” në Tiranë, i cili është nën hetim që prej vitit 2021. Hetimi lidhet me procedimin penal nr. 300/1 të vitit 2021 dhe është vijim i veprimeve hetimore të nisura pas kontrolleve dhe sekuestrimeve të pajisjeve elektronike në ambientet e qendrës së thirrjeve “Bluenergycall shpk”, në rrugën e Kavajës, Condor Center, Tiranë, më 16 mars 2022. 

Këtë herë, hetuesit kanë identifikuar persona të tjerë të dyshuar si pjesë e të njëjtit grup të strukturuar kriminal, duke çuar në lëshimin e 11 masave të sigurisë. SPAK ka ekzekutuar 8 prej tyre, 3 “arrest me burg”, 3 “arrest në shtëpi” dhe 2 “detyrim paraqitjeje”, ndërsa 3 persona nuk janë gjetur gjatë kontrolleve.

Nga provat e sekuestruara dhe të dhënat e administruara gjatë hetimit, të analizuara në bashkëpunim me autoritetet gjermane, dyshohet se shtetas gjermanë dhe persona të tjerë europianë kontaktoheshin nga agjentë të “Bluenergycall shpk” dhe bindeshin të investonin në tregjet ndërkombëtare përmes platformave të dyshuara si mashtruese.

Sipas hetimit, viktimat depozitonin paratë në llogari bankare në vende të ndryshme, përfshirë Bullgarinë, Lituaninë, Poloninë dhe Qipron. Më pas, paratë dyshohet se transferoheshin në mënyrë të njëpasnjëshme në llogari të tjera ose konvertoheshin në kriptovaluta, duke e vështirësuar gjurmimin e tyre. SPAK thekson se një pjesë e veprimtarisë së dyshuar të mashtrimit është kryer përmes dy adresave IP të përdorura nga subjekti “Bluenergycall shpk” në Shqipëri.

Nga dosja e parë u dërguan në gjyq Erjon Kasmi, i konsideruar organizator i skemës, bashkëpunëtori i tij Xhulian Xhafa dhe 11 operatorë të Call Center-it. GJKKO dënoi me 11 vite burg Erjon Kasmit, i cili është organizatori i skemës mashtruese të call center. Por ky i fundit do të vuajë në qeli vetëm 7 vjet e 4 muaj burg. Ndërkohë u shpallën të pafajshëm operatorët që punonin në këtë skemë mashtrimi. Me 10 vite burg u dënua Xhulian Xhafa për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”, e kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal. Xhafa do të vuajë 6 vjet e 8 muaj burg. 

Njoftimi i plotë i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vazhdim të punës hetimore lidhur me procedimin penal nr.300/1 të vitit 2021, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë e Bambergut Gjermani, ekzekutoi  8 nga 11 masat e sigurisë ndaj shtetasve shqiptarë, të dyshuar si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, që merrej me veprimtarinë e paligjshme të mashtrimit kompjuterik përmes shitjeve online.

Masat e sigurisë janë ekzekutuar, të mërkurën më 9.9.2026 nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit,  Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, si rezultat i veprimeve hetimore të nisura pas kontrolleve dhe sekuestrimeve të pajisjeve elektronike, më 16.3.2022, në  subjektin, qendra e thirrjeve “Bluenergycall shpk”, (Njësia Bashkiake nr.7, rruga e Kavajes, Condor Center, Tiranë).

Masat e sigurimit të ekzekutuara janë si vijon:

 1.R.Gj, G.Sh dhe E.P –  “Arrest me burg”, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale;“Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

2. E.Gj. K. B. dhe I.G –  “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, të dyshuar për vepren penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

3.  A.Gj dhe Dh.L –  “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si të dyshuar për veprat penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 të Kodit Penal.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e regjistroi procedimin penal nr.300, më datë 9.12.2021 për veprat penale: “Mashtrim kopjuterik”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar si vepër penale nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Mbi bazën e kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve gjermane të drejtësisë, përkatësisht, Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg dhe në zbatim të Vendimeve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) më 16.3.2022 janë kryer  kontrolle në ambjentet e subjektit “Bluenergycall shpk” dhe subjekteve të lidhura me të.

Skema e mashtrimit

Nga provat materiale të sekuestruara dhe nga aktet e fashikullit të procedimit penal nr.300 të vitit 2021, të përpunuara në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore gjermane, ka rezultuar se shtetasit gjermanë dhe shtetasë të tjerë europianë ftoheshin nga agjentët e “Bluenergycall shpk” për të investuar në bursa ndërkombëtare përmes depozitimit të parave në platforma mashtruese. Depozitimet e parave bëheshin në  llogari bankare të vendeve të ndryshme si; Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro etj, në vende të tjera europiane dhe më gjerë dhe më pas zhdukeshin përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Gjithashtu është vërtetuar se mashtrimet janë kryer përmes dy adresave IP, të përdorura nga subjekti “Bluenergycall shpk”, në Shqipëri.  Gjatë kontrollit të kryer në datë 16.3.2022, janë ekstraktuar të dhënat elektronike të drejtpërdrejta që janë analizuar nga autoritetet gjermane të drejtësisë dhe konkretisht,  nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg për krimet kibernetike.

Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Posaçme ka dërguar fillimisht për gjykim pronarin, IT-në e qendrës së thirrjeve, “Bluenergycall shpk”, të akuzuar për kryerjen e veprës penale; “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Krijimit dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal, si dhe 11  shtetasë të tjerë, të akuzuar vetëm për kryerjen e veprës penale: “Pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal. (shiko njoftimin datë 16.6.2023)

Hetimet për personat e paidentifikuar, të përfshirë në këtë veprimtarinë vazhduan në kuadër të procedimit të ndarë 300/1 të vitit 2021.

Masat sigurimit të ekzekutuara ditën e djeshme, janë rezultai i një pune voluminoze për analizimin e hollësishëm të të dhënave komputerike, të krahasuara edhe me prova  të tjera fizike, si edhe kontrolleve të përmendura më sipër, përmes të cilëve është mundësuar identifikimi i anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal.

Poll

MOS HUMB