TIRANË-Teksa ende nuk ka një përgjigje se çfarë e shkatktoi shpërthimn në karburantin “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë mëngjesin e 9 shtatorit, ku tre punonjës mbetën të lënduar, një denoncim ndaj Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, i është dërguar SPAK, Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Në email-in e ndarë nga faqja Disidentët, drejtuar organeve kopetente denoncohet dhe kërkohet hetim mbi Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë, në lidhje me procedurën aktuale të dhënies së certifikatave të përcaktimit të vëllimit të depozitave/rezervuarëve të naftës bruto, gazit dhe nënprodukteve të tyre, pranë DPM-së. Në denoncim pretendohet se procedura e re e DPM-së nuk kërkon më qartë matjen fizike të rezervuarëve në terren, por lejon që vëllimi të përcaktohet mbi bazën e përmasave të paraqitura në projekt nga vetë subjekti.
Konkretisht në shkresë thuhet se "ndëra Urdhri 279/2017, gjatë tetë vjetëve në fuqi, e bazonte certifikimin te matja fizike, reale, në terren e vëllimit të rezervuarit, akti i ri, në Shtojcën nr. 2 bashkëlidhur, e bazon përcaktimin e vëllimit "sipas përmasave të dhëna në projekt" (pra në bazë të vizatimit teknik dhe projektit teknologjik të depozituar nga vetë subjekti aplikues), pa parashikuar në mënyrë të qartë e të detyrueshme një procedurë paralele matjeje fizike/volumetrike në terren nga ana e DPM-së, siç ndodhte më parë.





Sipas denoncuesit, kjo krijon rrezik për kapacitete të pasakta ose më të mëdha se ato reale dhe, për rrjedhojë, rrezik më të madh në rast zjarri apo shpërthimi. Ngjarja e karburantit “Eida” përdoret si arsye për të kërkuar hetim dhe rishikim urgjent të kësaj procedure, pasi tregon në mënyrë konkrete se sa i lartë është rreziku real që paraqesin ambientet me karburante e gaz kur infrastruktura dhe mënyra e funksionimit të tyre nuk kontrollohen e verifikohen me rigorozitet nga organet përgjegjëse.
Duke renditur edhe rastet e tjera, në fund të shkresës kërkohet nga institucionet:
-Të kryejnë verifikim/hetim administrativ mbi ligjshmërinë e urdhrit të ri të DPM-së dhe përputhshmërinë e tij me ligjin nr. 126/2020 Për Metrologjinë ;
-Të verifikojnë veprimtarinë e komisionit që hartoi ndryshimin e procedurës, në përbërje të Q. Bregu, E Malaj dhe anëtarë të tjerë
-Të bëjnë auditimin e të gjitha certifikatave të vëllimit të depozitave/rezervuarëve të lëshuara që prej ndryshimit të procedurës;
-Të vlerësojnë rrezikun real për sigurinë publike që paraqet certifikimi i depozitave/rezervuarëve pa matje fizike/volumetrike të detyrueshme;
Lidhur me shpërthimin te karburanti Eida, fillimisht, Policia dyshoi se kishte shpërthyer një bombol gazi në momentin që një automjet po furnizohej. Ndërkohë, zjarrfikësit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ngritën dyshime të tjera, duke përfshirë mundësinë që zjarri të ketë nisur në zyrat e karburantit ose nga një automjet brenda territorit të stacionit. Në lidhje me ngjarjen janë shoqëruar administratori, menaxheri i pikës, drejtuesi teknik. Ndërkohë po verifikohen dhe dokumentacionet e pikës së karburantit sa i takon aktivitetit, kontrolleve dhe lejeve përkatëse sipas ligjit.