Bota

303 kg kokainë në Spanjë, 4 shqiptarë në pranga! Rrjeti drejtohej nga burgu në Shqipëri

Droga ishte fshehur në një kontejner me produkte pule të ngrira të ardhur nga Brazili.

M.K.
303 kg kokainë në Spanjë, 4 shqiptarë në pranga! Rrjeti
Foto Ilustruese

SPANJË- Gjashtë persona mes tyre katër shqiptarë janë arrestuar në Spanjë pas sekuestrimit të 303 kilogramëve kokainë në portin e Algecirasit. Droga ishte fshehur në një kontejner me produkte pule të ngrira të ardhur nga Brazili.

Sipas mediave spanjolle organizata kriminale me bazë në Valencia dyshohet se drejtohej nga një shqiptar, i identifikuar me inicialet I.Z., i cili aktualisht vuan dënimin në Shqipëri. Ai dyshohet se koordinonte aktivitetin nga burgu përmes video-telefonatave me bashkëpunëtorët.

Mes të arrestuarve janë nipi i tij i cili menaxhonte operacionet në terren dhe krahu i tij i djathtë. Hetuesit zbuluan se procesi i nxjerrjes së drogës ishte filmuar me kamerë GoPro, ndërsa pagesat për personat e përfshirë do të kryheshin me kriptomonedhën USDT.

Sasia e sekuestruar dyshohet se ishte pjesë e një prove për të testuar një rrugë të re trafikimi. Objektivi i grupit ishte të transportonte përmes portit të Algecirasit deri në një ton kokainë në javë, me ngarkesa të ardhura nga Brazili dhe vende të tjera të Amerikës Latine./ZËRI

MOS HUMB