TIRANË- Detaje të reja janë zbuluar nga atentati i djeshëm në Fier ndaj Selami Hasanit, ku pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia në zonë, kanë hedhur dritë mbi lëvizjet e mundshme të autorëve. Kamerat e sigurisë kanë arritur të sigurojnë pamjet e një automjeti tip "Volvo" në ngjyrë të bardhë, në afërsi të banesës së viktimës, përpara se të ndodhte atentati. Pak minuta pas atentatit, ky automjet u gjet i djegur në mbikalimin e Dërmenasit, brenda të cilit u gjetën 4 armë, të dyshuara se janë përdorur nga autorët. Sipas raportimeve, automjeti tip "Volvo" rezulton i vjedhur në Suedi në vitin 2023 dhe ka hyrë në territorin shqiptar përmes pikës kufitare të Morinës, ndërsa targat që mbante dyshohet se ishin të falsifikuara. Dyshimet janë se autorët mund të jenë shoqëruar edhe nga një automjet i dytë, i cili mund të ketë shërbyer për mbështetjen dhe largimin e tyre nga vendngjarja. Selami dhe Jakup Hasani u qëlluan me breshëri plumbash në oborrin e banesës së 60-vjeçarit. Nga atentati, Selami Hasani mbeti i vrarë në vendgjarje, ndërsa nipi i tij, Jakup Hasani, 47 vjeç, i cili ndërroi jetë ditën e sotme./ZËRI