
TIRANË- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një natë më parë në Caserta në Itali, ku një shqiptar ka vrarë gruan e tij në sy të dy fëmijëve të tyre të mitur. Sipas mediave italiane, 30-vjeçari Lulzim Toci ka mbytur gruan e tij në krevatin ku ndodheshin dhe dy fëmijët e çiftit, 4 dhe 6 vjeç. Viktima është identifikuar si Eleonora Toci, 24 vjece. Ngjarja e rëndë u denoncua nga motra e saj, e cila tha se si fillim 30-vjeçari i kërkoi të shkonte në spital sepse Eleonora nuk ishte mirë, por ajo nuk e besoi dhe ka folur me dy fëmijët, të cilët i treguan se: Babi vrau mamin! Menjëherë e motra e viktimës ka telefonuar Policinë dhe së bashku me fëmijët kanë shkuar në komisariat ku kanë dëshmuar se 30-vjeçari është autori i krimit. Policia italiane tha se Lulzim Toçi në momentin e arrestimit ishte duke qëndruar në hyrje të shtëpisë së tyre dhe ishte në gjendje shoku. Ndërsa fqinjët e çiftit thanë për policinë se ata debatonin shpesh dhe dëgjonin se ai e dhunonte.