
TIRANË- Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Denis Derralla ka bërë me dije se Banka e Shqipërisë do të hartojë një listë të zezë me të gjithë ata individë që nuk kanë mundësi të marrin kredi. Kjo ‘listë e zezë’ do të mbushen me qytetarë që nuk do të financohen nga asnjë institucion financiar apo banka. Agjencia Telegrafike Shqiptare shkruan se ndryshimet e kryera nga Banka e Shqipërisë në rregulloren e re, kanë në fokus menaxhimin e rrezikut të kredisë nga këto institucione në drejtim të mbrojtjes së konsumatorit. Sipas Derallës, futja në një rregullore e disa kërkesave detyron institucionet financiare jobanka që të miratojnë kreditë mbi bazën e një analize financiare dhe jo thjesht nëpërmjet një dokumentacioni të paraqitur prej individit. Risi është edhe fakti që një konsumator nuk mund të ketë dy kredi konsumatore.