
TIRANË- Xhemal Meta u gjet pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së tij në Zall-Bastar më 13 janar. Fillimisht e gjithë ngjarja u raportua si aksidentale, por hetimet zbuluan se autori i vrasjes ishte fqinji i tij 64-vjeçar Isuf Hasa. Hasa e kishte goditur Metën me çekiç në pjesën e prapme të kokës, duke i shkaktuar vdekjen dhe më pas i ka marrë paratë që kishte në xhep e është larguar. Bëhet fjalë pikërisht për shumën prej 2 milionë lekësh të vjetra. Tashmë paratë janë sekuestruar nga autoritetet, ndërsa çekiçi me të cilin Hasa kreu vrasjen u gjet në banesën e vajzës së tij. Vetë Isuf Hasa ka deklaruar se me Xhemal Metën kishte pirë kafe dhe kanë nisur të debatojnë. Sipas Hasës, Meta e ofendonte dhe bullizonte vazhdimisht. Madje, autori i krimit është shprehur se 81-vjeçari i ngacmonte edhe bashkëshorten. Të gjitha këto, sipas Hasës, ishin bërë të padurueshme për të dhe kishin kulmuar me debatit pas konsumimit të kafesë, ku dhe ndodhi vrasja.