
TIRANË- Biznesmeni Oltion Buzi, administratori i “Buzi Sport” është shpallur në kërkim pasi akuzohet se nuk ka deklaruar 3.7 milionë euro të ardhura. Prokuroria e Tiranës bëri me dije se janë ushtruar kontrolle në tetë pika fizike ku “Buzi Sport” e ushtron aktivitetin dhe janë sekuestruar njësi kompjuterike, telefona celularë, tableta dhe vlera monetare në valuta të ndryshme që arrijnë në 8.000.000 lekë të reja, të cilat nuk ishin të justifikuara me dokumentacion ligjor.
Sipas organit të akuzës, “Buzi Sport” përdorte një sistem kompjuterik të paautorizuar për monitorimin dhe lëshimin e faturave tatimore. Ky sistem, që operonte përmes platformës online të palicencuar “store.dyqanimen.com”, mundësonte lëshimin e faturave të falsifikuara, të cilat përmbanin mangësi të elementeve të kërkuara nga legjislacioni tatimor dhe ishin të pafiskalizuara. Sipas Prokurorisë së Tiranës, në shumë raste, “Buzi Sport” lëshonte fatura me vlera më të mëdha, ndërkohë që deklaronte një vlerë shumë më të vogël për qëllime tatimore, duke shmangur kështu pagesën e detyrimeve tatimore.