
TIRANË- Kristjan Marku alias Bardhi, nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në shtator të vitit 2023, u ekzekutua në një atentat mbrëmjen e 13 janarit në autostradën Fier -Vlorë, në afërsi të fshatit Novoselë. Marku është qëlluar me brëshëri nga një makinë paralele dhe ka marrë tre plumba. Mjeti me të cilin udhëtonte është përplasur disa herë me trafikndarësen, deri sa ka ndaluar.
100 metra larg vendit të ngjarjes u gjet një makinë e djegur që mbante targat e vjedhura po në ditën e ngjarjes, të cilat autorët ia kishin marrë mjetit të një efektivi policie në Novoselë. Tashmë autoritetet kanë sekuestruar pamjet filmike, por kanë ngritur edhe psitat se ku cjanë fokusuar hetimet. Një prej tyre është përplasja mes dy fiseve në Rrëshen, Bardhi dhe Reçi. Deri në tani për vrasjen e Kristjan Markut janë shoqëruar 4 anëtarë të fisit Reçi, mes të cilëve, janë edhe Martin e Saimir Reçi. Të dy janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, por kanë mohuar të kenë lidhje me vrasjen e të riut.
Vetë Saimir Reçi i ka shpëtuar një atentati pas të cilit dyshohet se fshihej Martin Bardhi, Kristjan Marku dhe Enrik Bardhi. Saimir Reçi u shpëtoi plumbave por disa muaj më vonë, në një lokal në qendër të Rrëshenit u qëllua për vdekje Martin Bardhi, ndaj dhe autoritetet po hetojnë pistën e hakmarrjes mes fiseve.
Kristjan Marku ishte 30 vjeç dhe babai i një fëmije të mitur. Familja ka hapur dyert e mortit në Rrëshen.
Ai i ruhej një atentati të mundshëm dhe këtë detaj e kanë konfirmuar familjarët e viktimës. Sipas xhaxhait të tij, Kristjan Marku lëvizte vetëm kur ndihej i sigurt. Deklarime ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, e cila zbuloi se të dy qëndronin në Tiranë në apartamente me qira ditore. Po ashtu, shtoi se i shoqi përdorte një makinë me qira, të cilën e kishte marrë fillimisht për tri ditë dhe më pas e kishte shtyrë për dhjetë ditë të tjera.
Të hënën, ditën e vrasjes, Kristian Marku kishte njoftuar bashkëshorten se do të udhëtonte drejt Vlorës, por nuk i kishte zbuluar arsyen e udhëtimit. Sa i përket pistave të hetimit, xhaxhai i viktimës tha se i vetmi konflikt që familja e tyre kishte ishte me familjen Reçi. Por, edhe pse familjarët pretendojnë se ngjarja ka lidhur me konfliktin e vjetër mes familjeve, uniformat blu nuk e përjashtojnë edhe të shkuarën problematike të 30-vjeçarit. Ai është shpallur në kërkim më herët për armëmbajtje pa leje dhe për kanosje me armë zjarri.